Sindikata e RTK-së paralajmëron protesta: Buxheti ndër më të ultët në rajon, punëtorët pa rritje pagash prej vitit 2007
Sindikata e punëtorëve të Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) ka shprehur shqetësim serioz për gjendjen financiare të transmetuesit publik dhe për, siç thuhet, trajtimin e pabarabartë që po u bëhet punëtorëve të tij.
Sipas Sindikatës, ndonëse RTK financohet nga buxheti i Republikës së Kosovës, niveli i financimit mbetet ndër më të ultët në rajon për një transmetues publik kombëtar. Në krahasim me transmetues publikë si HRT në Kroaci, RTCG në Mal të Zi dhe RTSH në Shqipëri, RTK operon me kapacitete dukshëm më të kufizuara financiare.
Mungesa e investimeve serioze në teknologji transmetimi dhe zhvillim programor, sipas reagimit, ka krijuar një hendek të rrezikshëm profesional. “Një transmetues publik që nuk modernizohet, dobësohet. Një transmetues i dobësuar dëmton interesin publik”, thuhet në reagim.
Një nga shqetësimet kryesore mbetet edhe stagnimi i pagave. Sindikata thekson se pagat e punëtorëve të RTK-së nuk janë rritur në mënyrë substanciale që nga vitet 2006/2007. Në një kohë kur kostoja e jetesës është rritur ndjeshëm, kjo situatë, sipas tyre, përbën trajtim të pabarabartë dhe cenon dinjitetin profesional të punëtorëve.
Po ashtu, Sindikata ka ngritur shqetësim lidhur me vendimet e fundit për pagesën e 13-të në sektorin publik. Nëse punonjësit e institucioneve të financuara nga buxheti i shtetit përfitojnë nga kjo masë, ndërsa punëtorët e RTK-së përjashtohen pa arsyetim të qartë ligjor dhe proporcional, atëherë, sipas tyre, kemi të bëjmë me trajtim të pabarabartë në shpërndarjen e mjeteve publike.
“RTK nuk mund të konsiderohet institucion publik vetëm kur kërkohet llogaridhënie, e të përjashtohet kur bëhet fjalë për mbështetje financiare dhe trajtim të barabartë të punëtorëve të saj”, thuhet më tej në reagim.
Sindikata u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës, veçanërisht anëtarëve të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, që të rrisin urgjentisht buxhetin e RTK-së në një nivel që garanton stabilitet financiar të qëndrueshëm, investime në teknologji moderne, zhvillim programor konkurrues, si dhe rritje pagash dhe trajtim të barabartë në raport me sektorin publik.
Nëse këto kërkesa nuk reflektohen në vendimmarrje konkrete buxhetore, Sindikata ka paralajmëruar ndërmarrjen e të gjitha formave ligjore të veprimit sindikal, përfshirë protesta publike dhe, nëse është e nevojshme, organizimin e grevës së përgjithshme.
“Punëtorët e RTK-së nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë barazi para ligjit, financim të drejtë dhe respekt për misionin publik që e ushtrojnë çdo ditë”, përfundon reagimi i Sindikatës. /Kosova,info/
