Sindikata e RTK-së kundërshton largimin e redaktorëve dhe mbylljen e magazinave informative

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka reaguar pas informimit për largimin e gjashtë redaktorëve nga ekrani dhe paralajmërimin e mbylljes së magazinave informative në orën 17:00 dhe 23:00.

Në reagim thuhet se çdo ndryshim i tillë në skemën programore mund të bëhet vetëm me vendim të Bordit të RTK-së, i cili aktualisht është i paplotësuar dhe nuk ka marrë një vendim për këtë çështje. Sipas Sindikatës, çdo veprim jashtë kësaj procedure përbën shkelje të bazës ligjore dhe normative të brendshme.

“Ne kërkojmë tërheqjen e menjëhershme të këtij vendimi dhe rikthimin e respektimit të plotë të bazës ligjore”, thuhet në reagimin e Sindikatës, e cila thekson se ky qëndrim bëhet në mbështetje të lirisë së gazetarëve dhe në bazë të nenit 8 të Ligjit për Organizimin Sindikal, pika 1.2, që garanton mbrojtjen e të drejtave ligjore, ekonomike, sociale dhe profesionale të të punësuarve.

Sindikata ka theksuar se do të qëndrojë gjithmonë pranë ligjit dhe fjalës së lirë duke mbrojtur interesat e punëtorëve dhe misionin e mediumit të vetëm publik në vend, pronar i të cilit është Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe qytetarët e saj. /Kosova.info/


Go to TOP