Sindikata e RTK-së kërkon pagesën urgjente të pagave: Punëtorët nuk mund të mbesin pa të ardhura

Sindikata e Punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës (SPERTK) ka kërkuar nga Menaxhmenti dhe Bordi i institucionit që të ndërmarrin menjëherë të gjitha veprimet e nevojshme për sigurimin e pagave të punëtorëve, në mënyrë që ato të ekzekutohen brenda afatit ligjor, nga 1 deri më 5 nëntor 2025.

Në një reagim publik, Sindikata thekson se është jetike të gjendet një zgjidhje urgjente financiare, qoftë përmes bashkëpunimit me bankat, hapjes së një overdrafti të përkohshëm apo çdo mekanizmi tjetër të mundshëm, në mënyrë që punëtorët të mos mbesin pa paga.

Sindikata i ka bërë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që të ndërhyjë menjëherë, ngjashëm si në muajin gusht, kur ndau 2.5 milionë euro për të siguruar funksionimin e RTK-së.

“Kjo ndërhyrje është e domosdoshme për të parandaluar pasojat sociale dhe institucionale që mund të shkaktojë mungesa e pagave”, thuhet në reagim.

Sipas Sindikatës, është shqetësuese dhe e papranueshme që mediumi i vetëm publik në vend po përballet me mungesë buxheti duke rrezikuar programin, transmetimin dhe funksionimin e plotë të RTK-së, si dhe jetesën e mbi 700 familjeve që varen nga ky institucion.

Në reagim shtohet se, në një kohë kur në gjithë vendin po flitet për rritje pagash, në RTK jo vetëm që nuk ka pasur asnjë rritje, por tashmë mungon edhe buxheti për pagat ekzistuese.

“Punëtorët e RTK-së nuk kërkojnë privilegje, por vetëm pagën që ligjërisht u takon dhe që duhet të ekzekutohet në kohë,” theksohet më tej.

Në fund, Sindikata paralajmëron se, nëse nuk ndërmerren masa të menjëhershme, ajo do të dalë me qëndrime publike, do të ndërmarrë veprime sindikale dhe hapa ligjorë për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe funksionimin e institucionit publik të informimit.

“Sindikata e Punëtorëve të RTK-së kërkon përgjegjësi, reagim të menjëhershëm dhe bashkërendim institucional për zgjidhjen e kësaj situate të rëndë e të papranueshme,” përfundon reagimi. /Kosova.info/


Go to TOP