Malisheva konfirmon largimin e trajnerit Qatip Osmani

Malisheva ka bërë të ditur se trajneri Qatip Osmani ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetrajnerit pas ndeshjes së fundit ndaj Ballkanit.

Sipas klubit, pas analizimit të ecurisë dhe rezultateve të deritanishme, dorëheqja e tij është pranuar nga kryesia.

Bashkë me Osmanin, dorëheqje kanë dhënë edhe ndihmës-trajnerët Bashkim Livoreka dhe Liridon Kukaj.

Në njoftim, klubi i Malishevës ka shprehur mirënjohje për punën, përkushtimin dhe kulturën profesionale të Qatip Osmanit gjatë tre muajve të tij në krye të ekipit. “Edhe pse rezultatet nuk ishin në nivelin e pritjeve, klubi fitoi një mik të çmuar dhe përfitoi nga eksperienca e tij e pasur, sidomos për lojtarët e rinj”, thuhet në komunikatë.

Mirënjohje të veçantë janë shprehur edhe për ndihmës-trajnerët Bashkim Livoreka dhe Liridon Kukaj për punën dhe angazhimin e tyre profesional gjatë kësaj periudhe.

Malisheva ka theksuar se do të mbajë të hapura dyert për bashkëpunim të mundshëm në të ardhmen dhe se është duke punuar për emërimin sa më të shpejtë të trajnerit të ri dhe kompletimin e stafit teknik.


Go to TOP