Sindikata e Policisë përshëndet vendimin e Apelit për rastin në Lipjan

Sindikata e Policisë së Kosovës (SPK) ka përshëndetur vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila ka anuluar masën e paraburgimit ndaj pesë zyrtarëve policorë të Stacionit në Lipjan, të dyshuar për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”. Vendimi I Apelit rikthen çështjen për rivendosje, duke theksuar mungesën e analizës së plotë të provave nga ana e Gjykatës Themelore.

“Ky vendim i Gjykatës së Apelit, që anulon aktvendimin e Gjykatës Themelore dhe e kthen çështjen në rivendosje, është një hap i rëndësishëm drejt respektimit të parimeve të drejtësisë dhe të procesit të rregullt ligjor. Vendimi gjithashtu thekson mungesën e analizës së plotë të provave relevante dhe të besueshme, duke nënvizuar nevojën për qasje objektive dhe të paanshme në çdo rast që përfshin zyrtarë të rendit”.

SPK e konsideron këtë një hap pozitiv drejt respektimit të procesit të drejtë ligjor dhe paanësisë, sidomos kur në pyetje janë zyrtarët e rendit publik.

SPK ka shprehur shqetësim të thellë për mënyrën si disa media kanë raportuar rastin, duke përdorur termin “vrasje” pa bazë faktike apo vendim gjyqësor përfundimtar. Kjo, sipas SPK-së, përbën shkelje të etikës profesionale dhe rrezikon reputacionin e Policisë së Kosovës, si dhe besimin e qytetarëve në institucionet e sigurisë.

“SPK do të qëndrojë gjithmonë në mbrojtje të të drejtave të zyrtarëve policorë dhe të integritetit të Policisë së Kosovës, duke kërkuar përgjegjësi të plotë për çdo përpjekje që synon të njollosë apo dëmtojë këtë institucion jetik për funksionimin e shtetit të së drejtës”, thuhet në reagimin.

SPK kërkon nga institucionet e drejtësisë që të veprojnë me paanshmëri dhe profesionalizëm, pa u ndikuar nga presioni mediatik apo perceptimet publike të deformuara. Qytetarët po ashtu ftohen të mos bien pre e dezinformatave dhe të presin verdiktet përfundimtare nga organet kompetente.

SPK ka paralajmëruar se në ditët në vijim do të paraqesë ankesë zyrtare në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK) për shkak të raportimit të njëanshëm dhe të dëmshëm nga disa media. Qëllimi është mbrojtja e së vërtetës, e zyrtarëve policorë dhe e dinjitetit të institucionit të Policisë. /Kosova.info/


Go to TOP