Simiq kërkon reagimin e BE-së për protestën kundër Vuçiqit

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, e ka quajtur të papranueshëm faktin që vendet anëtare të Bashkimit Evropian nuk kanë reaguar lidhur me protestën e mbajtur në Tiranë kundër nismës “Ballkani i Hapur” dhe vizitës së Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Sipas tij, kjo protestë është sulm ndaj Vuçiqit dhe kryeministrit shqiptar, Edi Rama, e atij të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

“Është absolutisht e pashmangshme që bota demokratike, veçanërisht Brukseli, Berlini dhe Parisi, po heshtin pasi elementët radikalë në Ballkan sulmojnë Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, ka shkruar Simiq në llogarinë e tij në Instagram.

Ai ka thënë se tre liderët “po mundohen të tërheqin Ballkanin nga e kaluara dhe të çojnë në një të ardhme më të mirë”.

“Pa kufij, pa urrejtje dhe me një ekonomi të fortë që do t’i mbajë të rinjtë në këtë zonë”.

“E dashur Evropë, Ballkani ka vendosur të ecë përpara, ku jeni”, ka përfunduar Simiq.

Edhe zëvendëskryeministrja e Serbisë, Zorana Mihajloviq, ka theksuar se protestat e organizuara në Tiranë me rastin e vizitës së presidentit serb dhe iniciativës “Ballkani i Hapur” tregojnë se ka ende forca politike që duan ta rikthejnë rajonin nga e shkuara.

“Ballkani i Hapur është një iniciativë për një të ardhme më të mirë të rajonit dhe reagimet ekstremiste ndaj saj janë një përpjekje për ta kthyer rajonin në të kaluarën”, është shprehur ajo për Tanjug.

Go to TOP