Si e kujtoj Atin e Pavarësisë së Kosovës

Shkruan: Bajram MJEKU

Në përvjetorë të presidentit historik dr. Ibrahim Rugova, kam ndjesinë sikur më së paku shkruajnë dhe flasin bashkëpunëtorët e Tij dhe kanë të drejtë, pasi personaliteti i Tij nuk është lehtë për t’u shpjeguar!

Personalisht besoj në tre hapa të mëdhenj të Rugovës, por edhe në shumë vendime tjera, që janë po aq të mëdhenj e të rëndësishëm për pavarësinë e Kosovës.

Hapi i parë i madh i presidentit Rugova ishte orientimi i shqiptarëve kah Perëndimi, më saktë kah Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj evropian. Është lideri i parë shqiptar, i cili me objektiva të qarta orientoi popullin e tij që t’ia kthente shpinën Lindjes dhe të orientohej drejt Perëndimit dhe Evropës së qytetëruar.

Hapi i dytë i madh i tij ishte opsioni paqësor si zgjidhje politike për sendërtimin e pavarësisë së Kosovës dhe shmangia e konfliktit të armatosur me Serbinë në fillim të lëvizjes politike në Kosovë. Në fillim të viteve nëntëdhjetë, ish-presidenti kroat Franjo Tugjman, insistonte në një luftë të pabarabartë shqiptaro-serbe, në mënyrë që Kosovës t’ia hidhte paq dhe të shpëtonte Kroacia e tij nga ploja e luftës. Ai kishte edhe një ëndërr tjetër, e cila nuk u realizua kurrë. Donte që mbas një lufte të përgjakshme shqiptaro-serbe të përmasave siç ndodhi më vonë në Bosnjë, serbët e Kroacisë me theks të veçantë ata të Likës, të ishin kolonët e radhës në Kosovë!

Hapi i tretë i madh i Rugovës ishte besimi në pavarësinë e Kosovës. Edhe sikur të gjithë bashkëpunëtorët e tij ta braktisnin, Rugova edhe i vetmuar do ta shtynte “anijen” e pavarësisë në ujërat e Ballkanit të trazuar.

Ka edhe shumë hapa të tjerë të Atit të Pavarësisë së Kosovës, si miqësia e përjetshme me Shtetet e Bashkuara, pastaj ideja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë në Bashkimin Evropian, krijimi i miqve ndërkombëtarë, të cilët me kalimin e kohës u bënë gjeneratorë të fuqishëm në sendërtimin e projektit të pavarësisë Kosovës, si dhe administrimi i Kosovës nën një protektorat ndërkombëtar, si fazë kalimtare deri në realizimin final të pavarësisë së Kosovës.

Mbi të gjitha, presidentin Rugova e çmoj pafundësisht edhe për disa gjëra tjera fondamentale. Në Kuvendin e Dytë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili u mbajt më 14 korrik të vitit 1994 në Prishtinë, segmente të caktuara të së majtës bën gjithçka që ishte e mundur që lëvizja e tij politike legale të shndërrohej në lëvizje ilegale! Sikur të ndodhte kjo, projekti i pavarësisë do të shembej si kulla prej letre dhe pavarësia si opsion do te mbetej vetëm një ëndërr e pa sendërtuar, por ishte Rugova që pengoi këtë projekt ogurzi. Kundërshtarët më të mëdhenj politikë i refuzonte heshtur në mënyrën e tij estetike dhe mbi të gjitha shquhej për thjeshtësinë e tij, derisa bashkëpunëtorët e ngushtë i respektonte me pietetin më të madh.

Go to TOP