Shtufi: votoni për frymën që mban shtetin, jo për atë që ia zë frymën!

Publicisti Pal Shtufi ka bërë një thirrje të fortë për qytetarët në prag të zgjedhjeve parlamentare, duke i ftuar ata të votojnë me përgjegjësi dhe me vizion për të ardhmen e Kosovës.

“Votojeni frymën që mban shtet e jo frymën që i zë frymën shtetit!”, u shpreh ai duke theksuar rëndësinë e një qeverisjeje që forcon dhe zhvillon vendin, e jo një që e izolon apo e dobëson atë.

Shtufi paralajmëroi se pasojat e një votimi të gabuar nuk do t’i ndjejë vetëm një parti apo një individ, por e gjithë Kosova. “Pas të hënës, pasojat e votimit të gabuar nuk i vuan një person ose një parti, ato do t’i vuajë e tërë Kosova. Kujdes!”, apeloi ai për qytetarët që të marrin një vendim të duhur në kutitë e votimit.

Duke u ndalur te rëndësia e marrëdhënieve ndërkombëtare, Shtufi theksoi se shteti pa miq është i pafuqishëm dhe i pasigurt. “Shteti pa miq është si pula në mjegull,” tha ai duke theksuar nevojën për politika që ruajnë dhe forcojnë aleancat e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Në këtë kontekst, ai vlerësoi Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) si partinë që ka ndërtuar dhe ruajtur miqësitë e Kosovës me botën demokratike. “LDK është lidhja e të gjitha miqësive të Republikës më të bukur në botë!”, përfundoi ai duke lënë të kuptohet se mbështetja për këtë subjekt është e domosdoshme për të ardhmen e Kosovës.

Në prag të ditës së votimit, kjo thirrje e Shtufit vjen si një mesazh i fuqishëm për qytetarët që të reflektojnë mbi zgjedhjen e tyre dhe të votojnë për një të ardhme të sigurt dhe të qëndrueshme për Kosovën. /Kosova.info/


Go to TOP