Shtufi: Mos e shndërroni Presidencën në “odë burrash”, ruajeni Kosovën nga injoranca
Publicisti Pal Shtufi ka reaguar në rrjetet sociale me një deklaratë të fortë lidhur me debatin për postin e presidentit të vendit duke përmendur edhe familjen e komandantit legjendar Adem Jashari.
Shtufi shkruan se “për ta kthyer Kosovën në një katund të madh dhe për ta zëvendësuar mendësinë e Presidencës me atë të odës së burrave, mirë është të zgjidhet president ndonjëri nga pinjollët e familjes Jashari”.
Ai thekson se ky qëndrim nuk ka për qëllim denigrimin e familjes martire, por sipas tij, synon dy gjëra: mbrojtjen e Kosovës dhe ruajtjen e autoritetit të kësaj familjeje nga, siç shprehet ai, “injoranca e pinjollëve të saj”.
Në fund të reagimit, Shtufi apelon: “Mos e shkatërroni Kosovën me injorancë” duke lënë të kuptohet se debati për figurën e presidentit duhet të udhëhiqet nga standarde institucionale dhe jo nga emocione apo simbolika familjare. /Kosova.info/
