OVL e UÇK-së: Përfaqësimi në Këshill për Epopenë është formal dhe i vonuar
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) ka reaguar për, si thonë ata, mospërfshirjen e kategorive të dala nga lufta në Këshillin për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, duke kundërshtuar mënyrën e komunikimit të, sipas tyre, institucioneve përgjegjëse.
Në reagim thuhet se emaili i dërguar nga Ministria e Mbrojtjes, ku pjesëmarrja në “Grup Punues” cilësohej si “e domosdoshme”, ka pasur karakter urdhërues dhe jo ftesë për bashkëpunim të barabartë institucional.
“Kategoritë e dala nga lufta nuk janë vartës të asnjë ministrie dhe nuk mund të trajtohen me gjuhë urdhëruese për një ngjarje që buron nga sakrifica e tyre”, thuhet në reagim.
OVL e UÇK-së thekson se përfaqësimi i organizatave të dala nga lufta në Këshillin Shtetëror, sipas vendimit qeveritar, është vetëm formal dhe i vonuar, pasi nuk janë emëruar konkretisht përfaqësues të këtyre kategorive.
“Epopeja e UÇK-së nuk është aktivitet protokollar administrativ, por themel moral dhe historik i shtetit të Kosovës”, thuhet më tej në reagim.
Organizata ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në Grupin Punues dhe se ka themeluar një këshill të vetin për organizimin e shënimit të 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
Ndryshe, Ministria e Mbrojtjes ka reaguar, gjatë ditës së sotme, ndaj pretendimeve se përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta e Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) nuk janë përfshirë në Këshillin Organizativ për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, duke i cilësuar ato si të pasakta dhe të pabazuara.
Sipas njoftimit të kësaj ministrie, me Vendimin Nr. 01/02, datë 20.02.2026, Qeveria e Republikës së Kosovës ka themeluar Këshillin Shtetëror për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së. Ky këshill kryesohet nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ndërsa bashkëkryesohet nga ministri për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti.
