Shtimja me gjinekolog, kërkon edhe pediatër, por ligjërisht nuk i lejohet

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Shtime ka punësuar një profil të nevojshëm, atë të radiologut, i cili e ka nisur punën që gjashtë ditë.

Së fundmi punën  e ka nisur edhe gjinekologu.

Pos këtyre, kreu i kësaj komune Qemajl Aliu është zotuar se ky institucion do të bëhet edhe me specialist të biokimisë dhe atë të pediatrisë.

Mirëpo, sipas UA 04/2020 për kujdes parësorë shëndetësorë, mjekësia familjare nuk e lejon rekrutimin e gjinekologut dhe  pediatrit, veç në rast kur QKMF posedon shërbimin e maternitetit, gjë që e Shtimes  nuk e ka.

“Neve konsiderojmë se jemi duke e bërë gjënë e duhur duke ofruar shërbime të tilla për një popullatë prej 27 mijë banorësh, se sa t’i detyrojmë ata të marrin rrugë me dhjetëra kilometra , ose të detyrohen të shkojnë në klinika private”, tha, Isa Haxhiu, Drejtor i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në  Shtime

I njëjti tregon se gjinekologun e kanë punësuar në bazë të një marrëveshjeje që kjo komunë e  posedon me Caritasin prej 2021, për blerjen e shërbimeve shëndetësore të nevojshme, dhe kështu mendojnë ta bëjnë edhe për pediatër.

Derisa, qytetarët i duan këta specialistë, teksa tregojnë se çdo herë për vizita specialistike tek pediatri dhe gjinekologu duhet të shkojnë në Ferizaj apo edhe në ordinanca private, ku shpenzimet nuk janë të vogla.

Ndaj e mirëpresin vendimin e komunës që kjo qendër shëndetësore të bëhet edhe me këta specialistë.

Drejtori Haxhiu tha se këto shqetësime i ka ngritur edhe tek ministri Rifat Latifi, ku ky i fundit iu ka premtuar ndryshime ligjore në përmirësimin e kësaj situate.

Go to TOP