KFOR zhvillon stërvitje reagimi me ulje ajrore pranë Kampit Bondsteel

Ushtarët e Komandës Rajonale-Lindje (RC-E), pjesë e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, kanë zhvilluar një stërvitje reagimi me ulje ajrore pranë Kampit Bondsteel, me qëllim forcimin e koordinimit mjekësor shumëkombësh dhe aftësive për reagim të shpejtë.

Sipas njoftimit të KFOR-it, stërvitja përfshiu avionë, ekipe mjekësore të fluturimit dhe pjesëmarrës në role të ndryshme, të cilët praktikuan procedurat për menaxhimin e viktimave, trajtimin dhe evakuimin në raste emergjente.

KFOR-i bëri të ditur se këto ushtrime kanë për qëllim rritjen e ndërveprimit ndërmjet njësive të misionit dhe sigurimin që personeli të jetë i gatshëm për t’iu përgjigjur shpejt dhe në mënyrë efektive situatave të ndryshme.

Sipas misionit të NATO-s në Kosovë, ushtrimet e tilla ndihmojnë në ruajtjen e gatishmërisë operacionale, të vetëdijes për situatën në terren dhe aftësive të nevojshme për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë. /Kosova.info/

Go to TOP