Shteti ua ndërpret ndihmën sociale së paku 75 familjeve në nevojë

53 familje në komunën e Shtimes dhe 22 në komunën e Podujevës janë larguar nga skema sociale. Shumica e këtyre familje nuk janë më përfitues të ndihmës financiare nga shteti pasi komisioni mjekësor ka vlerësuar se kryefamiljarët e këtyre familjeve janë të aftë për punë.

Në komunën e Shtimes ky numër i rasteve të larguara nga skemat sociale përfshinë periudhën kohore nga muaji gusht deri në muajin nëntor të vitit 2002, ndërsa komunën e Podujevës në muajt shtator dhe tetor.
Por, nga qendrat për punë sociale në këto dy qytete po konsiderohet se gjendja e këtyre familjeve vazhdon të jetë e rëndë, pavarësisht vlerësimit të komisionit shëndetësor të nivelit qendror për kryefamiljarët e tyre.

Ndihma financiare nga shteti përmes skemës sociale që e gëzonte nga viti 2003, i është ndërprerë edhe familjes së Ramadan Zejnas nga fshati Gllavicë i Shtimes.

Ramadan Zejna, 80 vjeçar, nga fshati Gllavicë i komunës së Shtimes ka qenë pjesë e pakos për ndihmë sociale që nga viti 2003. Mirëpo të njëjtit në maj të këtij viti kjo ndihmë i është larguar me arsyetimin se djali është i aftë për punë.

Ndërprerja e kësaj ndihme i ishte bërë me arsyetimin se i biri i Ramadanit është i moshës madhore dhe është i aftë për punë.

“Vallahin i tha djali tu ka rrit dhe për atë arsye, djali nuk është duke punuar askund. Është një punëtorë i thjeshtë nuk ka zanat, edhe me një njoftësi motra ime, as njoftësi unë nuk kam…Vallahin kemi marrë 2003 ose 2004 aty pari… Jo nuk kam shku askund mu kajt hiq, badihava shko kaju(ankohu) ajo komuna nuk ka asgjë nuk ka buxhet, nuk ka për çka me ngushtu komunën”, ka thënë ai.

Por, pavarësisht se djali i familjes Zejna tash është i moshës madhore dhe i aftë për punë, ai nuk ka një vend pune ende. Ndërsa kryefamiljari thotë se gjendja e familjes së tij vazhdon të jetë e rëndë, derisa kërkon ndihmë.

“Nuk di se çfarë të ju them më tepër. Ngushtë jam për një dinarë(të holla) për ndonjë hargji me ma pru po a din se unë shkova më s’po mundem i kam mush 80 vite…Jo vallah, sepse nuk jam kajt (anku) kërkun hiç se tybe nuk kam shku. Me më ndihmu me një dinar hajr bëfshin, ai që ka mundësi se ka ardhur koha e vështirë u hip hargji, kanë hipur të gjitha tybe secili është për veti, ka familje nuk i ngushton familjen të më ndihmojë mua”, tha ai.

Nga skema sociale është larguar edhe Nazif Zeneli nga fshati Obranq i Podujevës. Mirëpo, ai ende po vazhdon që të kërkojë që të përfshihet në këtë ndihmë nga shteti.

“Unë krejt e kam mendimin tim në Prishtinë, atje në komisionin mjekësorë. Krejt ai e ka fajin e atë mendimin tim krejt ai e ka fajin. As unë nuk po mundem ta dijë pse, këta po thonë mos po qëllojnë raportet e liga, por ato raporte si kanë qenë më parë prapë po shkojnë por tash… Jo sepse tash Fadili kishte bërë llaf direkt me komisionin mjekësorë kishte thënë ne jo vetëm i besojnë raportit se fjalës jo. E mi kanë lyp që 2 3 ditë prapë raportet sot i kam dërguar, tash kanë me i dërgua andej prapë këto këndej si bëhen nuk e di, a kam sukses a nuk kam nuk e di, vetëm vallahin për tre javë me qenë diqysh mos me t’i qitë paret është tmerr në këtë krizë se jo që 3 muaj mos me pas mundësi as një mos me marrë. Unë nuk e di ku me mbajt tjetër kund”, tha ai për emisionin “Shenjë”.

E, kriteri i vendosur nga komisioni mjekësor që la pa ndihmë 22 familje të kësaj komunë po kërkohet te largohet. Kjo së paku nga ushtruesi i detyrës sa drejtorit të Qendrës për Punë Sociale në Podujevë, Fadil Berisha.

“Po kemi raste që janë shumë të rënda për nga gjendja ekonomiko-sociale dhe që ne kemi dëshirë si qendër ta ndihmojmë ato familje. Mirëpo është pengesë kriteri mjekësor i cili i pamundëson ato familje me hy në ndihmë sociale. Ne do të kishim dashur që këtë qasje me ndërruar dhe e t’ia mundësojnë vërtetë familjeve që kanë nevojë dhe ato mos me mbet pa ndihmë sociale. Tash duhet sigurisht të bëjmë ndryshime në ligj në ndonjë të ardhme të afërt në mënyrë që të përfshihen rastet që e meritojnë të marrin dhe të mos mbesin pa asgjë hiq, kurse ato që nuk meritojnë ato të largohen”, tha ai.

Ndërkaq, nga skema sociale në territorin e komunës së Shtimes janë larguar edhe dhjetra familje, derisa qindra të tjera vazhdojnë të jenë pjesë e kësaj skeme.

Sipas udhëheqësit të shërbimeve të skemës sociale në Qendrën për Punë Sociale në Shtime, Rinor Fazliu arsyet janë të ndryshme pse komisioni vlerësues në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, ka ndërprerë ndihmën sociale për këto familje.

“Por numri nga muaji në muaj ndryshon, por për momentin janë diku në 310 deri në 315 shfrytëzues të skemës së ndihmës sociale. Nga skema ka ndryshime nga muaji në muaj mirëpo në muajt e fundit është një ndryshim më i madh i largimit nga skema të ndihmës sociale sidomos nga komisioni mjekësorë, ndërsa për çështje të tjera janë raste më pak të larguara. Mund të them se nga muaji gusht deri në muajin nëntor i kemi përafërsisht 53 raste të larguara prej ndihmave sociale, prej tyre janë të larguar diku 38 raste nga komisioni mjekësorë ndërsa 13 raste janë për çështje të tjera”, ka deklaruar ai për emisionin “Shenjë”.

Ai ka shtuar se shumica e këtyre familjeve janë të varfëri të skajshme, derisa potencoi se në nivelin lokal është tentuar të bëhet zgjidhje për to.

“Jo me kryetarin e komunës, por me drejtorin sigurisht që kemi diskutuar dhe kemi diskutuar për arsyen për shqetësimin e punëtorëve për shkak se kemi të bëjmë me familje që shumica prej tyre janë në varfëri të skajshme. Është diskutuar me drejtorin për mundësinë e gjetjes së një zgjidhje mirëpo kjo është çështje e kompetencave të nivelit qendror dhe jo komunal. Një mund të them sepse janë familje që janë shfrytëzues të ndihmës sociale ndoshta shumica prej tyre që 20 vite, edhe deri sot për 20 vite ka qenë i paaftë e pas 20 viteve është i aftë. Unë prapë nuk mundem të japë konstatim të saktë janë mjekët që japin konstatimin e saktë për familjet në fjalë”, ka thënë ai.

Pavarësisht mënyrës së vlerësimit nga komisioni, familjet që u janë ndërprerë të hyrat nga skema sociale thonë se atë e kanë te domosdoshme, kur përveç varfërisë përballen edhe me sëmundje.

Për familjen Zeneli nga Podujeva, gjithçka bëhet më e rëndë duke pas parasysh edhe vajzën me probleme shëndetësore.

“Çika tash me të folur vetëm “bab dhe mam”. Këto që 1 vit e këndej, se gati që 2 vite jam në Prishtinë duke u marrë. Ajo nuk ka qenë në gjendje që dy vite përpos me cucëll ujin e merrte, ushqimin duke u ushqyer sikur fëmijën 2- 3 muaj që me thonë ngrënë me dorë tënde nuk ke pas. Ka ecë me vonesë, deri i ka bërë 5 vite nuk ka ecë edhe që prej se jemi duke e dërguar atje në Prishtinë ka nis kadale për nevoja të veta deri në banjo më së pari, tani kadale ka nis me gotë të pijë ujë, kadale ka nis tash të ngrënë bukë qysh mundet ndoshta jo ashtu lypet por deri diku të mos mbetet krejt dhe ka nis tash shembull “bab mam”, me qito dy llafe është njëherë për njëherë”, ka treguar ai.

Teksa tregon gjendjen jo të mirë sociale-ekonomike, ai thotë se ka kërkuar ndihmë edhe nga Komuna e Podujevës.

“Në komunë po, komuna po më jep shpresa se ndoshta po kryhet dje më ka dhënë një paket harq prej bajramit të vogël nuk ka pas mundësi me shpërnda shkojsha shikojsha dhe thonin nuk ka bëmirësa në këtë vit si më parë. Ndoshta kriza dhe lufta që është në Ukrainë, tani shpenzimet e mëdha dikush thotë jo vallah janë bërë shpenzimet e mëdha shkaku i virusit. Vetëm kryesorja për ndihmë që ma kanë dhënë janë mos, tani pak shkojnë ato që kanë qenë, na kanë dhënë pak një sa mos të mbesim veç në dorë të zotit dhe që sa herë po na bie të paguajmë ekstra për vete që nuk jam mirë me shëndet pro duhet të paguaj atje. E lyp librezën, libreza nuk është e vërtetuar duhet të paguhet nuk mundem të arsyetoj, unë me kaq më nuk di çfarë të them. Këtë pasuri që po e sheh të gjithën me dinar tonë është, tash e vogël e madhe kjo që është”, ka thënë ai.

Ndërkaq, në komunën e Podujevës rreth një mijë familje janë pjesë e skemës sociale.

Go to TOP