Dy talentët e Prishtinës ftohen nga PSG për periudhë vlerësimi në akademi
Dy futbollistët e rinj të Prishtinës, Lorik Mehmeti dhe Rin Ahmeti, kanë marrë një ftesë zyrtare nga Paris Saint-Germain për të marrë pjesë në një periudhë stërvitore dhe vlerësimi në Akademinë e klubit francez.
Sipas njoftimit të klubit të kryeqytetit, kjo periudhë do të zhvillohet nga 27 korriku deri më 9 gusht 2026 në kampusin e PSG-së në Poissy të Francës, ku dy talentët kosovarë do ta kenë mundësinë të stërviten dhe të tregojnë aftësitë e tyre në një nga akademitë më të njohura të futbollit evropian.
“Kjo ftesë përfaqëson një vlerësim të rëndësishëm për cilësinë, potencialin dhe punën e Lorikut dhe Rinit, të cilët do të kenë mundësinë të stërviten dhe të dëshmojnë vlerat e tyre në një nga akademitë më prestigjioze të futbollit evropian. Njëkohësisht, kjo është dëshmi e riorganizimit që po zhvillohet në FC Prishtina, përmes punës së vazhdueshme në avancimin e Akademisë së të rinjve, identifikimin, zhvillimin dhe promovimin e talenteve, si dhe krijimin e një baze të fortë për fuqizimin e ekipit të parë me futbollistë të dalë nga akademia. Kjo ftesë është gjithashtu rezultat i bashkëpunimit profesional që FC Prishtina ka ndërtuar me klubet më të njohura evropiane. Bashkëpunimi me Paris Saint-Germain dëshmon besimin dhe respektin e ndërsjellë, duke krijuar mundësi konkrete për zhvillimin dhe promovimin e futbollistëve tanë në nivelin më të lartë ndërkombëtar. FC Prishtina mbetet e përkushtuar që, përmes investimeve në përzgjedhjen dhe zhvillimin e talenteve të rinj, të ndërtojë një të ardhme të qëndrueshme, ku futbollistët e dalë nga Akademia e të rinjve do të jenë shtylla e ekipit të parë dhe ambasadorë të denjë të klubit”, ka njoftuar Prishtina.
Klubi u uron Lorik Mehmetit dhe Rin Ahmetit shumë suksese gjatë kësaj periudhe stërvitore dhe vlerësimi, me bindjen se do ta përfaqësojnë me dinjitet FC Prishtinën dhe futbollin e Kosovës”.
