SHSRK: Çdo vonesë në financim vë në rrezik funksionimin e RTK-së

Shoqata Sindikale e Radio Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj, pas deklaratave të fundit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili nuk ka dhënë asnjë sinjal konkret për alokimin e mjeteve për gjashtëmujorin e dytë të vitit për RTK-në.

Shoqata Sindikale e Radio Kosovës, thekson se mungesa e bartjes së buxhetit për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025, është goditje ndaj RTK-së si institucioni i vetëm publik në Kosovë.

“Çdo vonesë në financim vë në rrezik funksionimin bazik të RTK-së, pagat e punonjësve, prodhimin e programeve dhe, në fund, vetë ekzistencën e mediumit publik”, thuhet në reagim.

Shoqata Sindikale e Radio Kosovës thekson se pavarësia dhe stabiliteti financiar i RTK-së janë të domosdoshëm për funksionimin e demokracisë në vend. Ne kërkojmë nga Qeveria në detyrë që urgjentisht të ndërmarr hapa konkretë për bartjen e buxhetit për gjashtëmujorin e dytë të këtij viti.

“Punëtorët e RTK-së nuk do të heshtin. Ne do të përdorim të gjitha mjetet sindikale dhe ligjore në mbrojtje të vendit të punës dhe misionit publik të Radiotelevizionit të Kosovës”, thuhet në reagim.


Go to TOP