Shqiprim Arifi kritikon gjuhën politike në Kuvend: Çdo pyetje ka arsyen e saj
Shqiprim Arifi ka reaguar me një mesazh kritik lidhur me debatin politik dhe komunikimin në institucione duke theksuar rëndësinë e respektit ndaj pyetjeve në një diskutim demokratik.
Ai u shpreh duke cituar një shprehje gjermane: “Es gibt keine dummen Fragen, sondern nur dumme Antworten” (“Nuk ka pyetje budallaqe, por vetëm përgjigje budallaqe”) duke nënvizuar se në një debat të shëndoshë nuk duhet të diskreditohen pyetjet e bashkëbiseduesve.
Sipas tij, është e papranueshme që një pyetje të cilësohet si e pavlerë vetëm pse lidhet me një konstatim paraprak, veçanërisht kur kjo ndodh në një institucion si parlamenti, ku çdo pyetje, sipas tij, ka një arsye dhe qëllim.
Në vazhdim të reagimit të tij, Arifi kritikoi ashpër edhe qasjen e kryeministrit Albin Kurti duke pretenduar se ai “nuk po arrin të tejkalojë një mendësi ideologjike të vjetër” duke shtuar se pritshmëritë për ndryshim në këtë drejtim janë të kota.
Në fund të deklaratës së tij, ai theksoi se sipas tij, përgjigjet e dobëta vijnë nga njerëz të dobët në argumentim duke e mbyllur me një mesazh kritik për kulturën e debatit publik. /Kosova.info/
