Shqipëria miraton huan amerikane për ushtrinë pas një debati të nxehtë në Kuvend

Kuvendi i Shqipërisë e ka miratuar të hënën pasdite një marrëveshje huaje prej 302 milionë dollarësh me Shtetet e Bashkuara për modernizimin e Forcave të Armatosura të vendit, pas një debati të nxehtë disa orësh.

Marrëveshja kaloi me 74 vota për në një votim me dyer të mbyllura në Kuvendin me 140 vende, që u braktis nga opozita.

Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, tha se mediat nuk mund të lejoheshin t’i ndiqnin diskutimet, pas kërkesës së deputetëve të shumicës që argumentuan se dokumenti përmbante informacion të klasifikuar.

Opozita, megjithëse tha se e mbështeste marrëveshjen, kundërshtoi mënyrën se si ajo po shqyrtohej.

Partia Demokratike (PD) në opozitë e kundërshtoi mënyrën e ndjekur nga shumica socialiste, duke e akuzuar atë për shkelje të procedurave kushtetuese, pasi marrëveshja u fut për miratim me procedurë të përshpejtuar dhe pa u vënë më herët në dispozicion të deputetëve teksti i plotë i dokumentit.

“Kjo nuk është urgjencë as e Shqipërisë, as e SHBA-së. Është urgjencë e një qeverie që për vite zgjodhi korrupsionin në vend të përmbushjes së detyrimeve ndaj aleancës dhe sot kërkon të mbulojë dështimet e veta duke shkelur Kushtetutën”, tha kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.

PD-ja kërkoi mbledhje urgjente të Këshillit të Legjislacionit për të shqyrtuar nëse procedura e ndjekur ishte në përputhje me Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit. Opozita propozoi që votimi i marrëveshjes të shtyhej për seancën e së premtes, duke kërkuar që më parë të respektoheshin afatet dhe procedurat parlamentare.

Më 19 qershor, Qeveria e miratoi në parim marrëveshjen e huas direkte ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak (FMF).

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste në pushtet, Taulant Balla, tha se huaja prej 302 milionë dollarësh është një hap i rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë dhe përforcon partneritetin strategjik me SHBA.

“Kjo është marrëveshje historike për Shqipërinë. Është dëshmi konkrete e besimit të SHBA-së ndaj Shqipërisë. Ky financim do të përdoret ekskluzivisht për modernizimin e Forcave të Armatosura, pajisje dhe shërbime të mbrojtjes sipas standardeve të NATO-s”, tha Balla.

Sipas Ballës, fondet do të shpërndahen gradualisht sipas nevojave të Ministrisë së Mbrojtjes.

Shqipëria do të ketë 48 muaj për t’i aktivizuar fondet dhe 12 vjet për shlyerjen e huasë, ndërsa përdorimi i tyre do të monitorohet nga Agjencia Amerikane për Bashkëpunimin në Fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes (DSCA).

Më 11 qershor, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, zhvilloi një vizitë zyrtare në Uashington, ku u takua me drejtoreshën në detyrë të DSCA-së, Mary Beth Morgan.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, bisedimet u përqendruan në avancimin e projekteve të përbashkëta, forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe rritjen e kontributit të Shqipërisë në NATO.

DSCA është agjenci e Departamentit amerikan të Mbrojtjes që administron programet e bashkëpunimit ushtarak me vendet partnere, përfshirë financimin, shitjen e pajisjeve ushtarake dhe projektet për modernizimin e forcave të armatosura.

Në fund të qershorit, Shqipëria rriti buxhetin e mbrojtjes me 10.3 miliardë lekë – afërsisht 105 milionë euro.

Sipas Qeverisë, me këtë shtesë, shpenzimet për mbrojtjen arrijnë në 2.6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Rritja e buxhetit vjen në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po u kërkojnë aleatëve të NATO-s t’i shtojnë investimet në mbrojtje, ndërsa Aleanca ka vendosur si objektiv që vendet anëtare të synojnë shpenzime deri në 5 për qind të PBB-së deri në vitin 2035.

Protestë jashtë Kuvendit

Ndërkohë, jashtë Kuvendit të Shqipërisë, të hënën u mbajt edhe protesta e radhës antiqeveritare.

Policia bllokoi rrugët hyrëse drejt Kuvendit dhe vendosi masa të shtuara sigurie.

Tiranë, 27 korrik 2026.
Tiranë, 27 korrik 2026.

Protestuesit hodhën vezë dhe domate në drejtim të efektivëve, ndërsa policia përdori sprej irritues për t’i shpërndarë.

Një i ri u dërgua në spital për ndihmë mjekësore dhe disa protestues u shoqëruan në polici, përfshirë një nga organizatorët.

Protesta “Revolucioni i Flamingove”, e cila zhvillohet prej rreth dy muajsh, zhvendoset para Kuvendit sa herë që mbahen seanca plenare.

Këtë herë, perimetri i sigurisë u zgjerua ndjeshëm për t’i penguar protestuesit që t’u afroheshin deputetëve.

Tiranë, 27 korrik 2026.
Tiranë, 27 korrik 2026.

Javën e kaluar, 17 persona u plagosën gjatë përplasjeve mes protestuesve dhe forcave të rendit, ndërsa rreth 30 persona u shoqëruan në polici – mes tyre një gazetare dhe një antropologe gjuhësore amerikane.

Protestat nisën si kundërshtim ndaj projektit të mbështetur nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump, për ndërtimin e një resorti në Zvërnec, pranë Vlorës.

Më pas, ato u shndërruan në një lëvizje më të gjerë kundër politikave qeveritare, me kërkesa për mbrojtjen e mjedisit dhe territorit, dorëheqjen e Qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe shpërndarjen e Kuvendit.


Go to TOP