Eriksen ende nuk është rikthyer te Wolfsburg

Mesfushori danez Christian Eriksen ende nuk është rikthyer te Wolfsburgu, edhe pse ishte planifikuar t’i bashkohej skuadrës javën e kaluar.

Drejtori sportiv i klubit gjerman, Dieter Hecking, ka konfirmuar se Eriksen do të nisë një program individual rehabilitimi në Danimarkë dhe se rikthimi i tij do të marrë ende kohë.

“Plani ishte që ai të bashkohej me skuadrën në ndeshjen miqësore ndaj Lyonit dhe më pas të udhëtonte në kampin stërvitor. Fatkeqësisht kjo nuk ishte e mundur. Ai do të fillojë rehabilitimin individual në Danimarkë dhe kjo do të zgjasë”, ka thënë Hecking.

Ai ka shtuar se klubi nuk do të ushtrojë presion ndaj futbollistit.

“Nuk do ta nxitojmë. Është një situatë shumë e ndjeshme dhe po e trajtojmë me përgjegjësi të madhe”, është shprehur Hecking. 

Eriksen pësoi kolaps gjatë një ndeshjeje miqësore të Danimarkës më 7 qershor, por rifitoi vetëdijen shpejt dhe u dërgua për trajtim në spital. Së fundmi, kardiologu danez Henning Molgaard ka deklaruar se alternativa më e sigurt për futbollistin do të ishte t’i jepte fund karrierës, për shkak të rrezikut të përsëritjes së një incidenti të ngjashëm.

Wolfsburgu do ta nisë sezonin e ri në Bundesliga 2 më 8 gusht, me ndeshjen ndaj Kaiserslauternit.


Go to TOP