Rama ndërpret marrëveshjen me Jeta Xharrën për shfrytëzimin e hapësirës në Grand Hotel
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Komuna e Prishtinës ka dërguar njoftimin zyrtar për ndërprerjen e marrëveshjes për shfrytëzimin e hapësirës publike në Grand Hotel me organizatën e udhëhequr nga Jeta Xharra.
Rama ka reaguar pas deklaratës së Xharrës se “e dimë kush është, por nuk e tregojmë”, duke thënë se një përgjigje e tillë ka ngritur edhe më shumë pikëpyetje lidhur me çështjen në fjalë.
“Jeta Xharra nuk paske dhënë asnjë sqarim për çështjen thelbësore. Përkundrazi, reagimi si i tillë ngriti edhe më shumë pikëpyetje”, ka shkruar Rama.
Ai ka kërkuar sqarim se kë po e mbron kjo qasje, duke theksuar se përderisa pyetjet mbeten pa përgjigje, Kryeqyteti nuk mund të sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë.
Sipas Ramës, hapësirat publike janë pronë e qytetarëve të Prishtinës dhe nuk mund të shfrytëzohen nga organizata që, sipas tij, cenojnë interesin e qytetarëve dhe refuzojnë transparencën për çështje që lidhen me besimin e publikut.
Ai ka bërë të ditur se në ditët në vijim do të rishqyrtohen edhe marrëveshje të tjera për shfrytëzimin e hapësirave publike që janë ndarë dhe financuar nga Kryeqyteti. /Kosova.info/
