Shpresa për fitore të opozitës në Beograd
Viti 2025 në Serbi u përcoll me protesta masive kundër pushtetit të Aleksandër Vuçiq. Tani shumë qytetarë në Beograd presin që në zgjedhjet e ardhshme të fitojë opozita. Lëvizja studentore pritet ta mbështesë listën e saj, ndërsa partitë proevropiane do të garojnë me kandidatët e tyre.
“Si e re dhe studente, pres që në vitin e ri të realizohen qëllimet për të cilat kemi luftuar që nga fillimi i protestave, mbi të gjitha zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe që të dëgjohet zëri i qytetarëve,” thotë një qytetare.
“Njerëzit janë çliruar dhe kanë filluar të flasin hapur. Shumë probleme kanë dalë në sipërfaqe dhe besoj se kjo po shkon në drejtimin e duhur,” thotë një qytetar.
“Prej muajsh jemi në rrugë me mbështetje të qartë nga qytetarët. Kjo është mënyra që ajo mbështetje të shihet dhe të ushtrohet presion për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme,” thotë një studente.
Shumë qytetarë në Serbi presin që në zgjedhjet e ardhshme të fitojë opozita. Në bazë të protestave po përgatiten lista zgjedhore: Lëvizja studentore pritet të mbështesë listën e saj, ndërsa partitë proevropiane do të garojnë me kandidatët e tyre.
Duke komentuar kërkesat për zgjedhje, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se zgjedhjet do të mbahen vitin e ardhshëm.
“E kemi pranuar kërkesën kryesore, do të shkojmë në zgjedhje. Vetëm se nuk do të jenë aq të kënaqur kur të numërohen votat,” është i bindur Vuçiq.
Përveç tensioneve politike, viti 2025 u shënua nga sfida ekonomike, sanksionet amerikane ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë, si dhe nga një rritje rekord e presioneve dhe sulmeve ndaj gazetarëve dhe oponentëve të Vuçiqit. Afera të shumta kanë minuar besimin në institucione, ndërsa Serbia është larguar nga rruga evropiane drejt një orientimi gjithnjë e më proruse.
