Bayern Munich e deklason Wolfsburg
Bayern Munich ka dhënë një mesazh të fuqishëm në Bundesligë, duke e mposhtur Wolfsburg me rezultat të thellë 8:1 në “Allianz Arena”.
Me këtë fitore, bavarezët e kanë rritur epërsinë në krye të tabelës në njëmbëdhjetë pikë dhe e kanë vazhduar serinë mbresëlënëse pa humbje në shtëpi ndaj Wolfsburg.
Ndeshja ka nisur më mirë për Bayern, që ka kaluar herët në epërsi pas një autogoli të mbrojtësit Kilian Fischer.
Wolfsburg ka reaguar shpejt dhe e ka barazuar me golin e Dzenan Pejcinovic, por kjo ka qenë një shkëndijë e shkurtër.
Bayern e ka rikthyer epërsinë në minutën e tridhjetë, kur pas një harkimi të Michael Olise, Luis Diaz ka shënuar me kokë.
Në pjesën e dytë, skuadra e Vincent Kompany ka shpërthyer, duke realizuar dy gola brenda tre minutave. Fillimisht ka shënuar Olise, ndërsa më pas ka ardhur edhe një tjetër autogol nga Moritz Jenz.
Pas kësaj, Bayern ka dominuar plotësisht. Raphael Guerreiro, Harry Kane, sërish Michael Olise dhe në fund Leon Goretzka e kanë kompletuar festivalin e golave për rezultatin përfundimtar 8:1.
Me këtë fitore të madhe, Bayern Munich ka hedhur një tjetër hap të madh drejt titullit të trembëdhjetë kampion në katërmbëdhjetë sezonet e fundit.
