ShPQK-ja në ekspeditë studimore organizuar nga Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar me fermat e Shqipërisë

Në kuadër të projektit “Përmirësimi i jetës dhe forcimi i pozitës së fermerëve të qumështit në zonat rurale” të mbështetur financiarisht nga We Effect, Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës ka organizuar një vizitë studimore në Shqipëri. Ky ishte një hap i rëndësishëm për fermerët pjesëmarrës për të njohur praktikat dhe sfidat e sektorit të prodhimit të qumështit.

“Në Tiranë, ashtu siç ishte planifikuar u realizua takimi me Këshillin e Agrobiznesit Shqiptar (KASH), ku na mirëpriti z. Agim Rrapaj- Kryetar i KASH. Diskutuam për të arriturat dhe sfidat e sektorit te bujqësisë si dhe skemat e mbështetjes së fermerëve në Shqipëri, ndikimin e tyre si shoqatë në procesin e vendimmarrjes në politikat bujqësore si dhe bashkëpunimin me vendet fqinje”, thuhet në komunikatën e ShPQK-së.

Tutje thuhet se, sipas agjendës u realizuan disa vizita në ferma qumështore të pajisura me teknologji të avancuar, me kapacitet rreth 200 krerësh lopë qumështore, mesatarisht prodhimin e qumështit prej 25-28 litra për krerë. Pjesë e këtij aktivitetit ishte edhe vizita në qumështoren Deltadoni& Ajka.

“Kjo eksperiencë ishte e vlefshme për të përfituar njohuri të reja dhe praktika që mund të ndihmojnë në përmirësimin e sektorit të qumështit në vendin tonë.

Faleminderit, Dr. Sabah Sena, për organizimin e kësaj vizite të rëndësishme dhe për të mundësuar një eksperiencë të vlefshme për fermerët tanë”, përfundon komunikata e ShPQK-së. /Kosova.info/

Go to TOP