MINTI vazhdon për 30 ditë kufizimin e çmimeve të derivateve të naftës për mbrojtjen e konsumatorëve
Ministria e Industrisë, e Ndërmarrësisë, e Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka vendosur të zgjasë edhe për 30 ditë masën e përkohshme për rregullimin e çmimeve maksimale të derivateve të naftës, me synim mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e çmimeve të arsyeshme në treg.
Sipas MINTI-t, vendimi është marrë pas monitorimit të tregut dhe analizës së të dhënave nga Dogana e Kosovës, të cilat tregojnë se çmimet e importit nuk kanë shënuar ulje. Ministria vlerëson se rritjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare reflektohen shpejt në tregun vendor, ndërsa uljet përcillen me vonesë ose jo në tërësi.
Me vendimin e ri, çmimi maksimal i shitjes me shumicë do të llogaritet mbi bazën e çmimit mesatar të furnizimit të evidentuar nga Dogana e Kosovës plus 2 eurocentë për litër, ndërsa çmimi maksimal i shitjes me pakicë do të jetë çmimi mesatar i furnizimit plus 12 eurocentë për litër.
MINTI u ka bërë thirrje të gjitha kompanive që tregtojnë derivate të naftës të respektojnë çmimet e përcaktuara dhe të sigurojnë furnizim të rregullt të tregut. Zbatimi i vendimit do të mbikëqyret nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës, ndërsa shkelësit do të përballen me masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi. /Kosova.info/
