SHKK priti delegacionin nga Jordania, Dibrani: Bashkëpunimi është kyç
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë të ditur se ka pritur në një vizitë studimore delegacionin e Departamentit Kundër Narkotikëve të Policisë së Mbretërisë së Jordanisë, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimit të përvojave profesionale në fushën e sigurisë dhe menaxhimit korrektues.
Vizita dyditore, e organizuar me mbështetjen e ICITAP dhe INL, përfshiu takime me Departamentin e Inteligjencës Korrektuese të SHKK-së, ku delegacioni u njoh me strukturën, funksionimin dhe praktikat e punës së kësaj njësie. Gjatë prezantimeve u trajtuan metodat operative, proceset e analizës së informacionit, politikat e sigurisë, sfidat e hasura ndër vite dhe mënyrat e tejkalimit të tyre.
Delegacioni u prit edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, i cili vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.
“Bashkëpunimi ndërkombëtar është i një rëndësie të veçantë për avancimin e kapaciteteve tona institucionale. SHKK mbetet e përkushtuar për ta vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë në fusha me interes të përbashkët”, citohet të ketë thënë Dibrani.
Ndërkaq, përfaqësuesit e delegacionit të Policisë së Mbretërisë së Jordanisë falënderuan SHKK-në për mikpritjen dhe mundësinë për t’u njohur nga afër me punën e Departamentit të Inteligjencës Korrektuese.
Ata vlerësuan profesionalizmin e kësaj njësie, duke theksuar se “njohuritë dhe praktikat e ndara gjatë kësaj vizite do të na shërbejnë në avancimin e mëtejshëm të punës sonë”.
Sipas SHKK-së, vizita përbën një tjetër hap në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimin e praktikave më të mira me institucionet homologe në fushën e sigurisë dhe menaxhimit korrektues. /Kosova.info/
