Gashi: LDK-ja ka nevojë për reflektim, Kuvendi të vendosë për drejtimin e partisë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka deklaruar se kërkesa për mbledhjen e Kuvendit të partisë dhe ngritjen e çështjes së votëbesimit është një ushtrim i demokracisë së brendshme dhe i përgjegjësisë politike.

Sipas tij, pas tri proceseve zgjedhore, mesazhi i elektoratit është i qartë dhe LDK-ja ka nevojë për reflektim, vendimmarrje dhe një vizion të ri për t’u rikthyer si forcë udhëheqëse në Kosovë.

“LDK është një ideal, një histori dhe një përgjegjësi ndaj Kosovës. Kjo nuk është betejë kundër një individi, por kërkesë për një standard më të lartë politik, për llogaridhënie dhe për një LDK më të fortë”, ka shkruar Gashi.

Ai ka theksuar se Kuvendi është organi ku vendos demokracia e brendshme e partisë dhe aty duhet të përcaktohet drejtimi i ardhshëm i LDK-së “me guxim, përgjegjësi dhe vizion”.

Në fund, Gashi ka bërë thirrje për një LDK që, sipas tij, “bashkon, udhëheq dhe fiton përsëri”. /Kosova.info/


Go to TOP