ShBA tregon përkushtim për lirimin e të kidnapuarve në Haiti

Shtetet e Bashkuara janë zotuar se do të bëjnë gjithçka që munden për të liruar një grup të misionarëve të krishterë, amerikanë dhe kanadezë, të cilët janë zënë si pengje në Haiti dhe kidnapuesit kanë kërkuar 17 milionë dollarë për lirimin e tyre – 1 milion dollarë për secilin person.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë të “fokusuara vazhdimisht në këtë gjë”, ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në një konferencë për media në një vizitë në Ekuador.

“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar në zgjidhjen e kësaj situate”.

Banda e njohur si 400 Mawozo, është thënë se qëndron mbrapa kidnapimit të një grupi të shtatë grave, pesë burrave dhe pesë fëmijëve.

Bisedimet janë duke vazhduar për të kërkuar lirimin e tyre, ka thënë ministri i Drejtësisë në Haiti, Liszt Quitel.

Kidnapuesit kanë telefonuar grupin, të cilit i përkasin pengjet më 16 tetor, dhe menjëherë kanë bërë kërkesën për para, ka raportuar rrjeti televiziv amerikan, CNN.

Quitel ka thënë për CNN se deri më tani janë realizuar shumë thirrje në mes të kidnapuesve dhe grupit misionar.

Byroja Federale e Hetimeve (FBI) në Shtetet e Bashkuara, ka thënë se është pjesë e përpjekjeve të Qeverisë amerikane për të liruar pengjet.

Kidnapimet janë shpeshtuar në Haiti, vend që po përballet me krizë ekonomike dhe politike, prej vrasjes së presidentit Jovenele Moise dhe një tërmeti të fuqishëm që ka goditur këtë shtet në muajin gusht.

Kjo krizë në rritje në Haiti është bërë çështje me rëndësi për Shtetet e Bashkuara.

Mijëra migrantë nga Haiti kanë arritur në kufirin mes ShBA-së dhe Meksikës muajin e kaluar, mirëpo shumica janë dëbuar në një periudhë të shkurtër.

Go to TOP