Mbappe para duelit me Senegalin: Është një skuadër e madhe

Ylli i Kylian Mbappe ka folur me respekt për Senegalin, në prag të ndeshjes hapëse të Grupit I në Kupën e Botës 2026, ku Franca do të përballet me “Luanët e Terangës”.

Sulmuesi i Real Madrid e cilësoi Senegalin si një kundërshtar të fortë dhe ndeshjen si një start të rëndësishëm në turne, duke theksuar edhe historinë mes dy kombëtareve.

“Është Kupa e Botës, plot ndeshje interesante. Po luajmë kundër një ekipi të madh afrikan. Nuk e di nëse janë kampionët aktualë (qesh), por gjithsesi është një ndeshje e madhe,” u shpreh Mbappe për televizionin francez “M6”.

Ai kujtoi gjithashtu përballjen e famshme të vitit 2002, kur Senegali kishte mposhtur Francën në debutimin e tij në Botëror.

“Ka një histori mes Francës dhe Senegalit, dhe kjo e bën ndeshjen edhe më interesante. Është një sfidë e bukur për ta nisur turneun,” shtoi ai.

Mbappe theksoi rëndësinë e startit të mirë në kompeticion, duke nënvizuar se tri pikët e para do t’i jepnin qetësi skuadrës.

“Është ndeshja e parë dhe është e rëndësishme ta nisim mirë. Do të ketë emocione, por duhet të jemi gati për t’i marrë tri pikët,” tha ai.

Në të njëjtën kohë, edhe trajneri i njohur Alain Giresse ka vlerësuar Senegalin si një nga përfaqësueset afrikane me potencial për të shkuar larg në turne.

Franca shihet si një nga favoritët e mëdhenj të Botërorit, ndërsa Senegali synon të përsërisë ose të përmirësojë suksesin historik të vitit 2002, kur arriti deri në çerekfinale. 

Go to TOP