Alfaro: Paraguai nuk është në Botëror vetëm për pjesëmarrje

Përzgjedhësi i Paraguait, Gustavo Alfaro, ka deklaruar se rikthimi i Paraguait në Kupën e Botës pas 16 vitesh është një arritje e madhe, por theksoi se skuadra e tij nuk ka ardhur në turne vetëm për të festuar kualifikimin.

Paraguai do ta nisë aventurën në Botërorin 2026 me përballjen ndaj mikpritëses SHBA-së në Grupin D, në paraqitjen e parë të vendit në këtë kompeticion që nga viti 2010.

“Nga këndvështrimi im, lojtarët e kanë fituar tashmë betejën e tyre. Pas 16 vitesh mungesë, ata arritën të kualifikohen kur dukej e pamundur dhe kur kishte humbur shpresa,” deklaroi Alfaro në konferencën për media.

Trajneri argjentinas vlerësoi gjithashtu ndikimin e skuadrës te tifozët, duke thënë se ekipi ka rikthyer identitetin dhe krenarinë e futbollit paraguajan.

“Ata kanë rikthyer ADN-në e Paraguait dhe lidhjen e fortë me tifozët,” shtoi ai.

Megjithatë, Alfaro theksoi se objektivat e ekipit shkojnë përtej pjesëmarrjes.

“Nuk jemi këtu vetëm për të qenë pjesë e Kupës së Botës. Ne jemi këtu për të garuar,” u shpreh ai.

Duke folur për ndeshjen ndaj SHBA-së, trajneri pranoi se përballja me një nga vendet organizatore do të jetë një sfidë e madhe, veçanërisht për shkak të cilësisë së lojtarëve amerikanë që aktivizohen në kampionatet evropiane.

“Është gjithmonë e vështirë të luash kundër njërit prej organizatorëve. SHBA-ja ka lojtarë cilësorë dhe është shumë e rrezikshme në goditjet standarde, ndaj do të na duhet përqendrim maksimal dhe disiplinë taktike,” tha Alfaro.

Një lajm pozitiv për Paraguain është përmirësimi i gjendjes së sulmuesit të talentuar Julio Enciso, i cili po rikuperohet nga një dëmtim i pësuar pak para turneut.

“Julio po ecën shumë mirë me rikuperimin. Do të vazhdojmë ta vlerësojmë deri në momentin e fundit, por shpresojmë ta kemi në dispozicion,” deklaroi trajneri.

Në fund, Alfaro u bëri thirrje lojtarëve të ruajnë qetësinë para sfidës së shumëpritur.

“Kemi pritur 16 vjet për t’u rikthyer në Kupën e Botës. Mund të presim edhe një ditë më shumë,” përfundoi ai.

Go to TOP