Kush do të luajë me Mesin tek Argjentina? Duel mes Martinez dhe Alvarez

Nga porta te moduli, shumë dyshime për kampionët në fuqi të botës. Senesi pritet të zëvendësojë Tagliafico në krahun e majtë.

Julian Alvarez ka filluar ta përkëdhelë topin, por në këtë moment e ka të vështirë duelin me konkurrentin e tij për një vend titullari në formacionin e Argjentinës. Lautaro Martinez ka mundësi të mëdha ta nisë Botërorin si titullar te një skuadër që nuk është dizenjuar ende për shkak të dëmtimeve.

Argjentina, kampione në fuqi e botës, debuton të martën në Kansas City kundër Algjerisë, por vetëm dje ka dorëzuar në FIFA listën me 26 lojtarët e grumbulluar. Trajneri Scaloni zgjodhi Senesi, që mund të luajë që në ndeshjen e parë, në vend të Tagliafico. Ky është një nga dyshimet e trajnerit, i turbulluar nga mungesa e Paredes dhe në ankth për Dibu Martinez, portierin që ka një gisht të enjtur.

Fati i trajnerit Scaloni është që ka rigjetur Messi-n, që në debutimin e tij në Botërorin e 6-të do të kapë shifrën e 200 ndeshjeve në kombëtare. Kush do të luajë në krah të kapitenit? Lautaro është në formë shumë të mirë, ndryshe nga Katari.

Kapiteni i Interit duhej të luante titullar në Katar, me Messi-n djathtas dhe Di Maria-n majtas, por pas dy ndeshjeve të para u spostua nga Alvarez.

Tani duket se situata ka ndryshuar. Julian ka humbur disa seanca stërvitore dhe ka marrë vëmendje me ofertën prej 150 milionë eurosh nga Reali. Me shumë mundësi ai do t’i lërë hapësirë Lautaros.

Scaloni mendon ta nisë me skemën 4-4-2, sistemin e përdorur në dy miqësoret e fituara kundër Hondurasit dhe Islandës. Lautaro dhe Messi kështu do të kishin liri lëvizjeje, duke mos sakrifikuar në mbrojtje.

Go to TOP