Ish-këshilltari i Merkelit në FAZ: Si loboi Enver Hoxhaj që Kosova të pranohej në UEFA dhe FIFA

Një prej gazetave më të mëdha dhe më me ndikim në Gjermani, Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), ka publikuar një intervistë me ish-këshilltarin për politikë të jashtme dhe siguri të ish-kancelares Angela Merkel, Christoph Heusgen, ku ai ka folur për diplomacinë, sportin dhe rolin që luajti Gjermania në anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare të futbollit.

Në intervistë, Heusgen ka vlerësuar drejtpërdrejt rolin e ish-ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, duke zbuluar se ishte pikërisht ai që kishte iniciuar diskutimet për mbështetjen gjermane ndaj përpjekjeve të Kosovës për t’u anëtarësuar në UEFA dhe më pas në FIFA.

“Kam qenë dhe jam mik me ministrin e atëhershëm të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhajn, i cili flet edhe gjermanisht. Ai më dha idenë që të mbështesnim përpjekjet e Kosovës për t’u pranuar në UEFA”, ka deklaruar Heusgen për FAZ.

Sipas tij, për Kosovën ishte me rëndësi jetike që, krahas njohjeve diplomatike, të siguronte edhe njohjen në sportin ndërkombëtar.

“Për kosovarët ishte e rëndësishme që të njiheshin edhe në futboll”, është shprehur ai.

Heusgen tregon se pas bisedave me Hoxhajn kishte shqyrtuar strukturat vendimmarrëse në UEFA dhe kishte identifikuar rolin e rëndësishëm që mund të luante Karl-Heinz Rummenigge, atëherë një nga figurat më me ndikim të futbollit evropian.

“Angela Merkel shkroi një letër. Përmes kontakteve me Bayern Munich vendosa lidhjen me Karl-Heinz Rummeniggen, i cili më pas u angazhua në UEFA për pranimin e Kosovës”, ka rrëfyer Heusgen.

Ai thekson se procesi nuk ishte aspak i lehtë, për shkak se edhe sot pesë vende të Bashkimit Evropian nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

“Nuk ishte një proces i lehtë, sepse Kosova nuk njihet nga të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian.

Por Rummenigge u angazhua shumë për realizimin e interesave tona”, ka deklaruar ai.

Rrëfimi i ish-këshilltarit të Angela Merkelit hedh dritë mbi një nga sukseset më të rëndësishme të diplomacisë kosovare pas shpalljes së pavarësisë. Deklaratat e publikuara në FAZ dëshmojnë se Enver Hoxhaj kishte luajtur një rol aktiv në mobilizimin e mbështetjes ndërkombëtare që kontribuoi në anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA, duke i hapur rrugën përfaqësimit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës në futboll.  /Kosova.info/

Go to TOP