Lulzim Peci largohet nga Llapi
Klubi Futbollistik Llapi ka njoftuar se me përfundimin e edicionit 2025/26 ka përfunduar bashkëpunimi me mesfushorin Lulzim Peci, pas skadimit të kontratës së tij.
Peci ishte pjesë e skuadrës bardhekaltër për dy sezone, gjatë të cilave u dallua për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar në çdo paraqitje. Mesfushori nga Mitrovica kontribuoi në ndeshjet zyrtare të klubit, duke qenë një pjesë e rëndësishme e repartit të mesfushës.
Gjatë periudhës së tij te Llapi, Peci regjistroi gjithsej 49 paraqitje, duke realizuar 1 gol dhe duke dhënë 4 asistime me fanellën bardhekaltër.
Me përfundimin e kontratës, të dyja palët kanë vendosur të ndajnë rrugët në mënyrë korrekte dhe me respekt të ndërsjellë për kontributin e dhënë.
Tutje, Llapi ka falënderuar publikisht Lulzim Pecin për angazhimin, disiplinën dhe korrektësinë e treguar gjatë kohës sa ishte pjesë e klubit, duke i uruar njëkohësisht shëndet dhe suksese në vazhdim të karrierës së tij profesionale.
