SHBA merr të artën në garën e fundit të Lojërave Olimpike, Norvegjia e para

Me fitoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kanadasë në finalen dramatike të hokej mbi akull janë mbyllur zyrtarisht Lojërat Olimpike Dimërore, të cilat nga 6 shkurti e deri të dielën janë mbajtur në Milano dhe Cortina të Italisë.

SHBA-ja e ka siguruar medaljen e artë pas një fitore të madhe në vazhdime ndaj rivalit të përjetshëm, Kanadasë, duke fituar titullin e parë olimpik në hokej që nga viti 1980.

Fitorja ka pasur edhe një domethënie të veçantë emocionale për amerikanët. Triumfi i është dedikuae ish-lojtarit të ndjerë, Johnny Gaudreau, i cili e kishte humbur jetën tragjikisht në gusht të vitit 2024 së bashku me vëllain e tij Matthew, pasi ishin goditur nga një shofer i dehur derisa po lëviznin me biçikletë.

Gjatë ceremonisë së medaljeve, lojtarët amerikanë e kanë ngritur fanellën me numrin 13 dhe emrin e Gaudreau, ndërsa në arenë janë dëgjuar thirrjet “Johnny Hockey”. Dy nga lojtarët kanë shkuar në tribunë dhe kanë sjellë në akull fëmijët e tij për fotografinë zyrtare të triumfit. 

Kapiteni i ekipit, Auston Matthews, ka thënë se Gaudreau ka qenë “me ta në shpirt gjatë gjithë turneut” dhe se kjo medalje është për të gjithë ata që kanë veshur fanellën e SHBA-së ndër vite.

Në renditjen e përgjithshme të medaljeve, Norvegjia ka qenë bindshëm vendi më i suksesshëm, me tetëmbëdhjetë medalje të arta, dymbëdhjetë të argjendta dhe njëmbëdhjetë të bronzta. Norvegjezët për herë të katërt rresht kanë fituar numrin më të madh të medaljeve në Lojërat Dimërore, ndërsa tetëmbëdhjetë medaljet e arta përbëjnë rekord olimpik.

SHBA-ja është renditur e dyta me dymbëdhjetë të arta, dymbëdhjetë të argjendta dhe nëntë të bronzta, gjithsej tridhjetë e tri medalje. Holanda dhe Italia kanë fituar nga dhjetë medalje të arta, ndërsa Gjermania, Franca dhe Suedia nga tetë.

Zvicra ka përfunduar e teta me gjashtë të arta, nëntë të argjendta dhe tetë të bronzta.

Në disiplinat e skijimit alpin, zviceranët kanë qenë më të mirët me katër medalje të arta, tri të argjendta dhe dy të bronzta. Kanë pasuan Italia dhe SHBA-ja me nga dy të arta, ndërsa Austria dhe Brazili kanë siguruar nga një medalje të artë.

Në Milano dhe Cortina kanë garuar 2871 sportistë nga nëntëdhjetë e dy vende të botës.

Kosova është përfaqësuar nga Kiana Kryeziu në tri disiplina të skijimit alpin dhe nga Drin Kokaj në një disiplinë. Megjithatë, asnjëra nga garat e tyre nuk ka rezultuar e suksesshme, pasi të dy kanë dalur nga shtegu.

Shqipëria ka marrë pjesë me katër skitarë. Shpresat më të mëdha kanë qenë te Lara Colturi, por rezultati më i mirë i saj ka qenë vendi i dhjetë në sllallom.

Garat janë transmetuar drejtpërdrejt nga RTK.  

Lojërat e ardhshme Olimpike Dimërore do të mbahen në vitin 2030 në Alpet Franceze.


Go to TOP