Anglia i beson Tuchel-it, por presioni rritet pas eliminimit
Pavarësisht eliminimit dramatik në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026 nga Argjentina, Thomas Tuchel do të vazhdojë të jetë trajner i kombëtares së Anglisë.
Trajneri gjerman ka konfirmuar se synon të respektojë kontratën e tij, e cila skadon pas Kampionatit Evropian 2028. Tuchel theksoi se për momentin është i përqendruar te sfida e radhës, ndërsa më pas do të vazhdojë punën me “Tre Luanët”.
“Kontrata ime është e vlefshme deri në Kampionatin Evropian. Është e vështirë të shohësh shumë larg në këtë moment, por mezi pres të vazhdoj”, ka deklaruar Tuchel.
Megjithatë, humbja 2-1 ndaj Argjentinës ka rikthyer kritikat e ashpra në Angli ndaj trajnerit gjerman. Pas ndeshjes, disa prej legjendave të futbollit anglez kanë vënë në pikëpyetje vendimet taktike të Tuchelit, veçanërisht zgjedhjen për t’u tërhequr në mbrojtje pasi Anglia kishte kaluar në avantazh.
Gary Neville e krahasoi këtë eliminim me humbjen në finalen e Kampionatit Evropian ndaj Italisë, duke theksuar se problemet e Anglisë lidhen me mentalitetin dhe menaxhimin e momenteve vendimtare.
Edhe Wayne Rooney kritikoi zgjedhjet e trajnerit gjerman, duke argumentuar se futja e mbrojtësve shtesë dërgoi një sinjal negativ te skuadra.
“Vendimet e Tuchel-it na kushtuan shumë. Kur lojtarët shohin mbrojtës që hyjnë në fushë pasi kanë kaluar në epërsi, humbin besimin. Nëse ia lë iniciativën Argjentinës pranë zonës së rrezikshme, herët a vonë do të ndëshkohesh”, ishte analiza e ish-kapitenit të Anglisë.
Michael Owen gjithashtu e vuri theksin te ndryshimi i mentalitetit, duke krahasuar qasjen e Anglisë me atë të Spanjës në gjysmëfinalen tjetër ndaj Francës.
“Spanja vazhdoi të luante me guxim edhe pasi kaloi në avantazh. Ne, në të njëjtën situatë, futëm tre mbrojtës. Çfarë mesazhi i dërgon kjo ekipit?”, tha Owen.
Kritikat më të forta erdhën nga Gary Lineker, i cili e cilësoi planin e lojës së Anglisë si të diskutueshëm dhe vuri në dyshim mënyrën se si u menaxhua Lionel Messi, i cili pati hapësira të shumta për të ndikuar në lojë.
Pavarësisht presionit të madh, drejtuesit e Federatës Angleze duket se vazhdojnë t’i besojnë Tuchel-it, i cili tani do të përgatitet për ndeshjen ndaj Francës për vendin e tretë, përpara se të nisë përgatitjet për ciklin e ardhshëm drejt Euro 2028.
