Spanjë-Argjentinë, një prej finaleve më të mëdha në historinë e futbollit
Gjithçka është gati për finalen e madhe të Kupës së Botës 2026, ku Argjentina, kampione në fuqi e botës dhe e Amerikës së Jugut, do të përballet me Spanjën, kampionen e Evropës, në një duel që premton spektakël në skenën më të madhe të futbollit.
Spanja siguroi një vend në finale pas një paraqitjeje të shkëlqyer ndaj Francës në gjysmëfinale, ku triumfoi me rezultat 2-0. “La Roja” ka zhvilluar një turne mbresëlënës, duke pësuar vetëm një gol deri në këtë fazë dhe duke eliminuar në fazën me eliminim direkt Austrinë, Portugalinë dhe Belgjikën.
Nga ana tjetër, Argjentina arriti finalen pas një rikthimi dramatik ndaj Anglisë, duke fituar 2-1 në gjysmëfinale. Kampionët në fuqi kanë kaluar më herët pengesa të forta si Kepi i Gjelbër, Egjipti dhe Zvicra për të mbërritur në aktin final.
Lionel Messi është një nga protagonistët kryesorë të turneut, pasi kryeson garën për “Këpucën e Artë” me tetë gola dhe katër asistime. Për Spanjën, golashënuesi më i mirë është Mikel Oyarzabal me pesë realizime.
Argjentina synon trofeun e katërt të Kupës së Botës, pas triumfeve në vitet 1978, 1986 dhe 2022. Ndërkohë, Spanja kërkon titullin e dytë botëror në histori, pas suksesit të vitit 2010, dhe do të luajë vetëm finalen e dytë të saj në këtë kompeticion.
Ku dhe kur zhvillohet finalja?
Finalja e Kupës së Botës 2026 do të zhvillohet të dielën, më 19 korrik, në “MetLife Stadium” në New Jersey. Ndeshja do të nisë në orën 21:00.
Stadiumi me kapacitet prej 80.663 tifozësh ka pritur tashmë disa ndeshje të këtij Botërori dhe pritet të jetë skena e një prej finaleve më të mëdha në historinë e futbollit.
Përveç duelit mes dy kombëtareve, FIFA po përgatit edhe një spektakël të veçantë në pushimin e finales, me një shfaqje të ngjashme me “Super Bowl”, e cila pritet të zgjasë rreth 30 minuta.
