Yamal dhe Porro stërviten veçmas para finales

Lamine Yamal dhe Pedro Porro kanë zhvilluar stërvitje të diferencuar nga pjesa tjetër e skuadrës së Spanjës, teksa “La Roja” ka nisur përgatitjet për finalen e madhe të Kupës së Botës 2026 ndaj Argjentinës.

Dy futbollistët punuan veçmas në seancën e parë stërvitore në Neë Jersey, në ambientet stërvitore të Red Bull Neë York, por Federata Spanjolle e Futbollit ka bërë të ditur se të dy pritet të jenë të gatshëm për duelin e së dielës.

Sipas RFEF-së, puna individuale ishte vetëm një masë parandaluese për menaxhimin e ngarkesës fizike dhe jo një shqetësim serioz për gjendjen e tyre.

Trajneri Luis de la Fuente kishte zbuluar pas fitores ndaj Francës në gjysmëfinale se Porro kishte një shqetësim fizik. Mbrojtësi i krahut të djathtë dyshohet se ka pësuar një dëmtim të lehtë muskulor në kofshë, por problemi nuk konsiderohet i rëndë.

Ndërkohë, situata e Lamine Yamalit duket më pak shqetësuese. Talenti spanjoll pati një përballje të fortë fizike në gjysmëfinale ndaj Francës dhe pas ndeshjes u pa me disa goditje e mavijosje, por nuk ka një dëmtim që rrezikon pjesëmarrjen e tij në finale.

Stafi teknik i Spanjës po punon që Yamal, Porro dhe pjesa tjetër e ekipit të arrijnë në maksimumin e formës fizike për përballjen ndaj Argjentinës.

Në stërvitjen e hapur për mediat, pjesa tjetër e skuadrës u shfaq në gjendje të mirë dhe me atmosferë pozitive, pavarësisht temperaturave të larta dhe lagështisë në Neë Jersey.

Spanja ka edhe tri ditë kohë për t’u përshtatur me kushtet klimatike përpara finales, ku do të synojë trofeun e Botës përballë kampionëve në fuqi, Argjentinës.


Go to TOP