ZRRE thotë se ka marrë përkrahje nga Vjena për procesin tarifor
Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, me seli në Vjenë, ka shprehur mbështetjen e tij për veprimet e Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në procesin tarifor aktual.
Në një letër zyrtare të dërguar sot, Sekretariati ka theksuar rëndësinë e transparencës dhe pavarësisë në vendimmarrjen rregullatore, duke i cilësuar këto si elemente kyçe për një treg energjetik të drejtë dhe të qëndrueshëm.
Në dokumentin e tij, Sekretariati ka nënvizuar se përcaktimi i tarifave në mënyrë të drejtë dhe të bazuar në kosto reflektive është thelbësor për sigurinë afatgjatë të sektorit të energjisë dhe për mbrojtjen e konsumatorëve. Një qasje e tillë, sipas Sekretariatit, ndihmon në ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe krijon një mjedis të favorshëm për investime të reja në sektorin energjetik.
Për më tepër, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka inkurajuar të gjitha palët e interesuara që të angazhohen në një konsultim konstruktiv me ZRRE-në, në përputhje me parimet e legjislacionit evropian. Kjo do të mundësonte një proces të hapur dhe gjithëpërfshirës, duke garantuar një vendimmarrje të balancuar dhe të drejtë për të gjitha palët e përfshira. /Kosova.info/
