“Sanksionet e papara” s’e ndalën makinën luftarake të Putinit

Në dhjetor të vitit 2021, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e paralajmëroi homologun rus, Vladimir Putin, se pushtimi i Ukrainës do të sillte “pasoja ekonomike për Rusinë, të papara ndonjëherë”.

ShBA-ja dhe aleatët e saj evropianë e përmbushën këtë kërcënim me runde të njëpasnjëshme sanksionesh, prej se Rusia nisi pushtimin e fqinjit të saj, në shkurt të vitit 2022.

Të fundit nga presidenti Biden u shqiptuan javën e kaluar. Ai tha se mbi 500 sanksionet e reja kanë në shënjestër makinën luftarake të Rusisë.

“Putini besonte se mund ta thyente lehtësisht vullnetin dhe vendosmërinë e popullit të lirë të Ukrainës, se mund të futej në Ukrainë dhe ta nënshtronte atë. Dy vjet më vonë, ai mbetet i gabuar. Nuk ishte në gjendje ta bënte këtë”, tha Biden.

Në po atë javë, Bashkimi Evropian miratoi paketën e 13-të të sanksioneve kundër Rusisë, të cilat, siç tha, shënjestrojnë rreth 200 organizata dhe njerëz, që e ndihmojnë Kremlinin të blejë armë ose të marrë fëmijë ukrainas nga shtëpitë e tyre.

Putin, duke folur në qytetin industrial Tula, disa ditë para kësaj vale të re sanksionesh, tha se masat e Perëndimit nuk e kanë ndikuar ekonominë ruse.

“Ata parashikuan rënie, dështim, kolaps. Menduan se ne do të dorëzoheshim ose do të shpërbeheshim. Por, nuk patën sukses. Ekonomia jonë po rritet, ndryshe prej ekonomisë së tyre”, tha Putin.

Dhe, duket se Fondi Monetar Ndërkombëtar ra dakord me të. Ai i përmirësoi parashikimet e tij për rritjen ekonomike ruse këtë vit në 2.6 për qind, nga një vlerësim i mëparshëm prej 1.1 për qind.

Për ekonominë amerikane, ndërkaq, parashikimet janë që ajo të rritet për 2.1 për qind, kurse ekonomia britanike për 0.6 për qind.

Shifrat duken befasuese kur kihet parasysh se shteti rus është përjashtuar prej shërbimeve kryesore financiare në botë dhe rreth 260 miliardë euro asete të Bankës së tij Qendrore janë ngrirë.

Po ashtu, vendet perëndimore kanë mbyllur hapësirën ajrore për avionët rusë, ashtu si edhe portet për anijet ruse.

Sanksione ka edhe mbi naftën dhe gazin rus dhe mbi importet e arit dhe diamanteve nga Rusia. Qindra kompani të mëdha perëndimore ndaluan, po ashtu, të shesin dhe të prodhojnë në Rusi.

Por, pavarësisht të gjithave, ekonomia ruse nuk kolapsoi – përkundrazi, duket se po ecën mirë.

Taisa Markus, eksperte e tregjeve në Universitetin e Illinoisit, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se shumëkush e mbivlerësoi fuqinë e sanksioneve, sidomos në një afat të shkurtër.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme të mos pritet se sanksionet do ta ndryshojnë regjimin. Kuba është një shembull i kësaj. Afrika e Jugut është një kundër-shembull. Sanksionet kundër Rusisë kanë pasur më pak ndikim seç është shpresuar, por definitivisht mund të kenë ndikim afatgjatë”, thotë Markus.

Ajo shton se një arsye përse ekonomia ruse ka qëndrueshmëri relative, është se Banka Qendrore e vendit ka rritur masivisht normat e interesit për të kontrolluar inflacionin. Kjo është kombinuar, pastaj, me kontrollet e vendosura nga Qeveria, të cilat e kanë bërë gati se të pamundur për eksportuesit rusë dhe kompanitë e huaja që operojnë në Rusi, të nxjerrin para jashtë vendit.

Një hulumtim i Kolegjit Mbretëror të Londrës ka gjetur, po ashtu, se Rusia arrin të importojë shumë mallra të sanksionuara perëndimore, duke i blerë ato përmes vendeve të treta, të tilla si Gjeorgjia, Bjellorusia dhe Kazakistani.

Kina, në anën tjetër, ka ndërhyrë në mbështetje të Rusisë, duke blerë naftë prej saj dhe duke dërguar atje sasi të mëdha të pjesëve industriale dhe produkteve teknologjike. India ngjashëm. Zëvendëskryeministri rus, Alexander Novak, ka thënë se Kina dhe India përbëjnë tani 90% të eksporteve ruse të naftës.

Për ta ndalur këtë hov, Markus, nga Universiteti i Illinoisit, thotë se është koha të mendohet për më shumë sanksione dytësore, të cilat i parandalojnë palët e treta të bëjnë tregti me vendin e sanksionuar – në këtë rast Rusinë.

“Sanksionet dytësore mund të jenë tepër të ndërlikuara dhe të kenë pasoja të paparashikuara. Por, në këtë moment, dy vjet pas luftës, analizat e rrezikut tregojnë se ne duhet të ndërmarrim sanksione dytësore”, thotë Markus.

Në dhjetor të vitit të kaluar, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, nënshkroi një urdhër ekzekutiv, i cili i kërcënon me ndëshkime ato institucione financiare që e ndihmojnë Rusinë t’i anashkalojë sanksionet.

“Ne po dërgojmë një mesazh të sigurt: Kushdo që mbështet përpjekjet e paligjshme të Rusisë për luftë, është në rrezik të humbasë qasjen në sistemin financiar të ShBA-së”, thanë atëkohë nga Shtëpia e Bardhë.

Ekonomisti rus, Konstantin Sonin, i cili ligjëron në Universitetin e Çikagos, thotë për Exposenë se shifrat për rritje ekonomike në Rusi nuk janë reale, ose, së paku, ekonomia është shumë më ndryshe seç ka qenë.

Sipas tij, shpenzimet ushtarake dhe shpenzimet e lidhura me luftën e kanë ushqyer pjesën më të madhe të rritjes ekonomike të Rusisë, vitin e kaluar. Dhe, për këtë vit, Qeveria planifikon t’i rrisë edhe më shumë shpenzimet e tilla.

“Ajo që po ndodh me ekonominë ruse, është një proces jashtëzakonisht i pashëndetshëm. Ai quhet zëvendësim regresiv i importit. Në vend se të huazojë teknologji të reja nga Perëndimi, ekonomia ruse tani, në shumë aspekte, rindërton atë që është shpikur në Perëndim 20 apo 30 vjet më parë. Pra, është kthyer në një model joefikas dhe të keq të viteve të fundit të Bashkimit Sovjetik, që ka çuar në rënien e këtij blloku. Pra, ekonomia ruse përfundimisht do të shkojë drejt një krize të madhe”, thotë Sonin.

Në vitin e parë të luftës, më 2022, ekonomia ruse është tkurrur për 2.1 për qind, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Me gjithë parashikimet e fundit të FMN-së për rritje, Thesari amerikan ka vlerësuar në fund të vitit të kaluar se sanksionet janë duke e dëmtuar Rusinë, pasi i kanë ulur 5% nga rritja ekonomike që mund ta kishte pasur gjatë dy vjetëve të fundit.

Po sipas Thesarit amerikan, lufta në Ukrainë dhe sanksionet kanë bërë që më shumë se një milion njerëz – shumë prej tyre të rinj dhe me arsim të lartë – të largohen nga Rusia.

I pyetur për ndikimin e sanksioneve, Sonin, nga Universiteti i Çikagos, u bën jehonë këtyre shifrave dhe shton:

“Ndikimi kryesor i sanksioneve është se ato e kanë bërë më të kushtueshme luftën e Putinit. Pra, sanksionet funksionojnë si një taksë. Kjo taksë nuk është e madhe, por sigurisht që i kufizon kapacitetet e Putinit në luftën në Ukrainë. Për shkak të sanksioneve, në Rusi prodhohen më pak tanke dhe raketa, ndërsa edhe ushtarët paguhen më pak. Ka ende mjaft para dhe mjaft tanke e raketa, por më pak se do të kishte pa sanksione”.

Megjithatë, Sonin thotë se vetëm sanksionet kundër Rusisë nuk do të jenë të mjaftueshme për ta çuar Ukrainën drejt fitores. Sipas tij, Ukraina ka nevojë edhe për burime financiare dhe pajisje të tjera, për të vazhduar luftën e saj.

“Çfarëdo që e ndihmon Ukrainën për t’u mbrojtur, është mirë për paqen dhe do të jetë mirë për Rusinë. Pra, më shumë armë dhe më shumë kapacitete për Ukrainën që të mbrohet”, thotë Sonin.

Lufta në Ukrainë ka shkaktuar tashmë dhjetëra-mijëra viktima dhe miliona të zhvendosur.

Në ditën e parë të saj, më 24 shkurt të vitit 2022, presidenti amerikan, Biden, ka thënë se sanksionet kundër Rusisë do të jenë po aq shkatërruese sa plumbat, raketat dhe tanket e Putinit.

“… sepse [sanksionet] do ta dobësojnë aq shumë vendin e tij, saqë atij do t’i duhet të bëjë një zgjedhje shumë, shumë të vështirë: të vazhdojë të ecë drejt të qenët një fuqi e dorës së dytë apo, në fakt, të përshtatet”, ka thënë Biden.

Kjo, megjithatë, nuk ka ndodhur dhe është vetëm hamendje e secilit se kur makina ekonomike ruse do të ndalojë së punuari.

Tash për tash, Putin ka mjaft para për të mbështetur si ekonominë, ashtu edhe ushtrinë, thotë ekonomisti rus, Konstantin Sonin.

Go to TOP