Samiti i G7 afron Evropën dhe SHBA-në për Ukrainën

Liderët evropianë u larguan të lehtësuar nga samiti i G7 në Évian, pasi arritën të sigurojnë mbështetjen e presidentit amerikan Donald Trump për një deklaratë të përbashkët mbi Ukrainën dhe rritjen e presionit ndaj Rusisë, shkruan Euro News.

Në përfundim të samitit treditor të G7 në Évian, presidenti francez, Emmanuel Macron, e cilësoi takimin si “objektivisht të suksesshëm”, duke iu referuar deklaratës së përbashkët të miratuar nga të gjithë liderët, përfshirë presidentin amerikan, Donald Trump.

Para samitit kishte spekulime se Trump mund ta anashkalonte takimin ose të largohej para përfundimit të tij. Diplomatët francezë kishin shprehur gjithashtu shqetësime për përplasje të mundshme dhe mungesë uniteti mes aleatëve.

Një vit më parë në Kanada, Trump ishte larguar herët nga samiti i G7 ndërsa kishte shpërthyer lufta mes Izraelit dhe Iranit. Po ashtu, samiti i atëhershëm nuk kishte arritur të prodhonte një qëndrim të përbashkët për çështjet kryesore, ndërsa tarifat amerikane ndaj aleatëve kishin shtuar pasigurinë te partnerët evropianë.

Këtë herë, diplomatët francezë e cilësuan samitin si të suksesshëm, ndërsa Macron deklaroi se takimi në Évian përfaqësonte një pikë kthese.

“Ky është një ndryshim i vërtetë krahasuar me muajt e fundit, jo vetëm nga ana e evropianëve, por edhe nga ana e vendeve të G7”, tha ai.

Liderët ranë dakord për një deklaratë të përbashkët, ku shprehën mbështetjen e tyre të palëkundur për Ukrainën në mbrojtjen e lirisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të saj.

Deklarata përfshin gjithashtu zotimin për sanksione më të ashpra ndaj sektorit energjetik rus, një nga kërkesat kryesore të vendeve evropiane dhe Ukrainës për të rritur presionin ndaj presidentit rus, Vladimir Putin.

“Ky samit në Évian përfaqëson një ndryshim shumë të thellë në qasje, një gatishmëri nga ana e Shteteve të Bashkuara për të bashkëpunuar me evropianët në mbështetje të Ukrainës”, tha Macron.

Për evropianët, të cilët kishin frikë se do të mbeteshin jashtë diskutimeve për të ardhmen e paqes në kontinent ndërsa Trump zhvillonte kontakte të drejtpërdrejta me Putinin, samiti konfirmoi vendin e tyre në tryezën e diskutimeve.

Burime evropiane thanë se mesazhi se Rusia nuk po tregon gatishmëri serioze për paqe ka gjetur mbështetje edhe te Trump, i cili sinjalizoi se SHBA-ja mund të rikthejë sanksione ndaj energjisë ruse, pa dhënë një afat të qartë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, nuk arriti të zhvillojë një takim dypalësh me Trumpin, por pati vetëm një bisedë të shkurtër në margjinat e samitit.

Ndërkohë, zyrtarë të BE-së thanë se presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, ka testuar në mënyrë diskrete kanale diplomatike për të vlerësuar mundësinë e krijimit të një linje komunikimi me Kremlinin. Sipas tyre, BE-ja nuk e sheh veten si ndërmjetësuese, por si mbështetëse të Ukrainës.

Evropianët mirëpritën gjithashtu marrëveshjen e Trumpit me Iranin për t’i dhënë fund luftës, megjithëse mbeten shqetësime për programin bërthamor të Teheranit.

Pas samitit, Trump udhëtoi drejt Versajës për një darkë me rastin e 250-vjetorit të miqësisë franko-amerikane. I pyetur nëse ceremonia ishte një përpjekje për t’iu përshtatur dëshirave të presidentit amerikan, Macron tha se Versaja ka qenë gjithmonë dhe mbetet një instrument i diplomacisë. /Euro News/

Go to TOP