Liderët e G7-s bën thirrje për armëpushim në Liban para nënshkrimit të marrëveshjes SHBA–Iran

Liderët e vendeve të G7-ës kanë kërkuar të mërkurën një armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm në Liban, ndërsa kanë bërë të ditur se do të diversifikojnë rrugët e furnizimit me energji për të ulur varësinë nga Ngushtica e Hormuzit, si përgjigje ndaj përshkallëzimit të luftës me Iranin. Po ashtu, ata kanë mirëpritur një marrëveshje të përkohshme për t’i dhënë fund konfliktit.

Liderët janë mbledhur në një samit në qytetin francez Evian-les-Bains, në brigjet e Liqenit të Gjenevës, teksa detaje të marrëveshjes së armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit po bëhen publike gradualisht nga Uashingtoni dhe Teherani, para shpalljes së saj zyrtare që pritet të bëhet të premten në Lucern të Zvicrës.

Marrëveshja SHBA-Iran pritet të hapë rrugën për negociata drejt një zgjidhjeje përfundimtare për t’i dhënë fund luftës, e cila ka shkaktuar mbi 7,000 viktima, kryesisht në Iran dhe Liban.

“Ne theksojmë nevojën që negociatat … të trajtojnë kërcënimet që paraqet Irani në rajon dhe më gjerë dhe të sigurojnë që ai të mos zotërojë kurrë armë bërthamore”, thuhet në deklaratën e liderëve.

Samiti i ka dhënë presidentit amerikan Donald Trump mundësinë që t’ua prezantojë marrëveshjen e tij me Iranin aleatëve kryesorë: Britanisë, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë.

Këto vende ndajnë kryesisht shqetësimet e Uashingtonit lidhur me programin bërthamor të Iranit dhe çështje të tjera, por nuk e kanë mbështetur kurrë vendimin e Trumpit për të hyrë në luftë. Ato gjithashtu shqetësohen se Teherani ka fituar ndikim duke i rezistuar sulmit të superfuqisë dhe duke ruajtur kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit.

Liderët kanë deklaruar se janë të gatshëm të kontribuojnë në zbatimin e marrëveshjes, me një koalicion të udhëhequr nga Britania dhe Franca që pritet të ndihmojë në garantimin e sigurisë së lundrimit sapo Ngushtica e Hormuzit të rihapet, siç pritet të ndodhë të premten.

Memorandumi i mirëkuptimit i nënshkruar këtë javë nga Uashingtoni dhe Teherani, megjithëse ende nuk është bërë publik, e zgjat edhe për 60 ditë armëpushimin e shpallur në prill, për t’u dhënë palëve kohë për të negociuar një paqe të përhershme.

Presidenti amerikan duket se ka arritur vetëm pjesërisht objektivat që kishte deklaruar në fillim të luftës. Qeveria teokratike e Iranit mbetet në pushtet, rezervat e uraniumit të pasuruar në nivele të larta nuk janë dorëzuar, kapacitetet e raketave balistike nuk janë shkatërruar dhe Irani nuk ka ndërprerë mbështetjen për milicitë anti-izraelite si Hezbollah në Liban.

Trumpi ka thënë se marrëveshja përcakton se Irani nuk do të ketë armë bërthamore, një qëndrim që Teherani e ka deklaruar prej dekadash, ndërsa zyrtarët amerikanë thonë se bisedimet e mëtejshme do të synojnë largimin ose shkatërrimin e rezervave të uraniumit të pasuruar.

Megjithatë, përfundimi i luftës me këto kushte mund ta ekspozojë Trumpin ndaj kritikave, përfshirë nga qarqet më të ashpra brenda Partisë Republikane, në prag të zgjedhjeve të mesmandatit në nëntor.

Një nga çështjet kryesore që mbetet e hapur është fati i Libanit. Izraeli e ka pushtuar vendin në mars me synimin për të shkatërruar Hezbollahun, pasi grupi militant kishte sulmuar përtej kufirit në solidaritet me Teheranin pas sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit.

Forcat izraelite ende kontrollojnë një pjesë të gjerë të Libanit jugor, ku më shumë se një milion njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa Hezbollahu mbetet i pamposhtur.

Irani thotë se armëpushimi duhet të përfshijë edhe ndalimin e luftimeve në Liban dhe se një marrëveshje e përhershme duhet të çojë në tërheqjen e Izraelit. Izraeli, i cili u përjashtua nga negociatat e paqes SHBA-Iran, thotë se nuk do të tërhiqet dhe rezervon të drejtën të përdorë forcën ushtarake.

Kjo ka shkaktuar përçarje mes Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, pasi Trumpi ka kritikuar publikisht aleatin e tij të kohës së luftës, Benjamin Netanyahu. Të martën, Trumpi ka deklaruar në samit se nuk ishte “i kënaqur” me mënyrën se si ishte sjellë Izraeli.

“Pa ne, pa Shtetet e Bashkuara, nuk do të kishte Izrael. Pa mua, nuk do të kishte Izrael, sepse asnjë president tjetër nuk ishte i gatshëm të bënte atë që bëra unë”, ka thënë Trumpi.

Në deklaratën e tyre, liderët e G7-ës kanë bërë thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm” në Liban.

Go to TOP