Salihaj: Votat e diasporës mund ta nxjerrin AAK-në nën prag

Aktivisti i çështjes kombëtare Adem Salihaj ka deklaruar se rezultati aktual i zgjedhjeve ende mund të ndryshojë ndjeshëm, me theks të veçantë te roli vendimtar i votave të diasporës. Sipas tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është shumë afër rënies nën pragun zgjedhor prej 5 për qind, ndërsa votat nga mërgata do ta përcaktojnë përfundimisht fatin e kësaj partie.

Salihaj vlerëson se rënia definitive e Nismës nga skena politike, si dhe rënia eventuale e AAK-së, do të ishte zhvillim pozitiv për Kosovën, pasi, sipas tij, do të largoheshin nga skena politike struktura që ai i quan të ndërlidhura me krimin.

Në një skenar të tillë, Salihaj shpjegon se 6 deputetë të AAK-së dhe 2 deputetë të Nismës do t’u shpërndaheshin partive të tjera parlamentare. Prej tyre, 4 ose 5 mandate do t’i takonin Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa 3 ose 4 mandate partive të tjera.

Si pasojë, Vetëvendosje do të mund të arrinte në 60 ose 61 deputetë në Kuvendin e Kosovës, ndërsa PDK-së dhe LDK-së do t’u shtoheshin nga 1 ose 2 deputetë secilës.

Sipas Salihajt, ky konfigurim i ri parlamentar do të ndryshonte ndjeshëm raportet e forcave politike në vend dhe do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në krijimin e institucioneve të reja. /Kosova.info/


Go to TOP