Muharremi: Rikthimi i LDK-së vjen vetëm përmes përballjes direkte me LVV-në

Analisti politik Shenoll Muharremi ka deklaruar se elektorati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) po e tregon qartë rrugën që duhet ndjekur për rikthimin politik të kësaj partie duke theksuar se një pjesë e konsiderueshme e votave të LDK-së aktualisht ndodhen te Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Sipas Muharremit, këto vota janë “huazuar pandershëm” duke pretenduar se LVV ka mashtruar qytetarët përmes përdorimit simbolik të flamurit të ish-presidentit Ibrahim Rugova në tubime politike. Ai vlerëson se ky veprim ka ndikuar në zhvendosjen e elektoratit tradicional të LDK-së drejt LVV-së.

Në këtë kontekst, Muharremi thekson rritjen dhe fuqizimin politik të deputetes Hykmete Bajrami duke e cilësuar atë si figurë që ka zhvilluar një betejë frontale dhe të drejtpërdrejtë me kryeministrin Albin Kurti dhe LVV-në. Sipas tij, kjo qasje është thelbësore për konsolidimin dhe rikthimin e besimit të elektoratit të LDK-së.

“Rikthimi i LDK-së ndërlidhet drejtpërdrejt me ‘luftën’ politike kundër LVV-së. Rënia e LVV-së nënkupton automatikisht rritjen e LDK-së”, ka deklaruar Muharremi duke shtuar se nga janari i vitit 2026 nuk ka alternativë tjetër për LDK-në përveç ballafaqimit të drejtpërdrejtë politik me Vetëvendosjen.

Ai shprehet i bindur se, nëse LDK ndjek këtë linjë politike dhe adreson mashtrimet që sipas tij i janë bërë elektoratit, partia mund të rikthehet në nivelin e 180 mijë deri në mbi 200 mijë vota brenda vitit 2026.

Deklaratat e Muharremit vijnë në një periudhë reflektimi brenda LDK-së pas rezultateve zgjedhore, ku gjithnjë e më shumë zëra po kërkojnë qartësim ideologjik, opozitarizëm më të ashpër dhe distancim të plotë nga qeverisja e LVV-së. /Kosova.info/


Go to TOP