Salih Murat kritikon ashpër ligjin për përfaqësim të drejtë: Po u jepet goditje kushtetuese të drejtave të komuniteteve
Deputeti turk në Maqedoninë e Veriut, Salih Murat, ka reaguar ashpër ndaj Projektligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, duke akuzuar Qeverinë dhe partnerin e saj VLEN se kanë propozuar një ligj që, sipas tij, është jofunksional, nuk ofron zgjidhje dhe bie ndesh me Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Ohrit.
Murat tha se zëvendëskryeministri i parë, i cili e ka sjellë projektligjin në Kuvend, nuk mori pjesë në Komisionin për Sistem Politik, Komisionin për Drejtësi dhe as në seancën plenare ku pritej të diskutohej ligji, duke shtuar se kjo ndodhi sepse nuk kishte as njohuritë dhe as guximin për ta mbrojtur atë.
Ai sfidoi publikisht autorët e ligjit që ta mbrojnë projektin para deputetëve, duke theksuar se “nuk ka asgjë që mund të mbrohet” në këtë draft.
Sipas Muratit, me këtë ligj po i jepet një “goditje e rëndë kushtetuese” parimit të përfaqësimit të drejtë dhe të drejtave të komuniteteve për integrim. Ai vlerësoi se veçanërisht komuniteti turk nuk përfiton asnjë zgjidhje për problemet aktuale dhe të ardhshme të përfaqësimit, ndërsa thellohen pabarazitë ekzistuese dhe rritet përjashtimi i komuniteteve nga institucionet. /Kosova.info/
