Pas protestave masive në Beograd, Vuçiç njofton dorëheqjen-Tregon kur do të ndodh
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se planifikon të japë dorëheqjen nga posti i presidentit brenda tre deri në katër muajve të ardhshëm.
Gjatë një interviste për televizionin Prva, Vuçiç përsëriti se synon të largohet nga presidenca, por theksoi se ende nuk është vendosur nëse Serbia do të shkojë vetëm në zgjedhje të parakohshme presidenciale apo në zgjedhje të njëkohshme presidenciale dhe parlamentare. Sipas tij, vendimi do të merret nga institucionet kompetente shtetërore.
Njoftimi vjen në një periudhë tensionesh politike në vend, pas muajsh protestash të udhëhequra nga studentët, të nxitura nga tragjedia në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona pas shembjes së një tende. Lëvizja studentore kishte kërkuar zyrtarisht zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe kishte paralajmëruar pjesëmarrjen me një listë të pavarur zgjedhore.
