Arsene Wenger pritet ta vizitojë Kosovën
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka njoftuar se drejtori i Zhvillimit Global të Futbollit në FIFA dhe një nga trajnerët më të njohur në historinë e futbollit, Arsene Wenger, pritet ta vizitojë Kosovën në të ardhmen e afërt.
Ademi ka bërë të ditur se me Wenger ka biseduar gjatë Samitit të FIFA-s që është mbajtur në Miami, ku temë kryesore ishte zhvillimi i talenteve të rinj dhe avancimi i futbollit.
“Me Arsene Wenger në kuadër të Samitit të FIFA-s në Majami biseduam për zhvillimin e talenteve dhe futbollit. Gjatë Samitit u diskutua për organizimin e festivalit për të rinjtë – djem dhe vajza – si pjesë e strategjisë së FIFA-s për zgjerimin e bazës së futbollit. Wenger vlerësoi potencialin e madh që ka Kosova në futboll, duke theksuar se rezultatet e Kombëtares sonë kanë dëshmuar tashmë talentin dhe rrugën e duhur të zhvillimit që po ndjek futbolli ynë. Duke u mbështetur në këtë potencial, FIFA e ka hapur Akademinë e Talenteve në Kosovë, një projekt i rëndësishëm për zhvillimin e gjeneratave të reja”, ka shkruar Ademi. “Shumë shpejt, Arsène Wenger, një nga trajnerët më të suksesshëm në historinë e futbollit, do ta vizitojë Kosovën për të përcjellë nga afër punën dhe zhvillimin e Akademisë së Talenteve”.
