Tahirukaj, Gegaj e Zogaj në liga elitare evropiane

Tre prej fundorëve të Kombëtares së Kosovës në hendboll, Drenit Tahirukaj, Leonard Gegaj dhe Shaban Zogaj do të luajnë në liga elitare evropiane.

Majtaku Tahirukaj këtë javë firmosi me skuadrën elitare zvicerane, Wacker Thun. Deri më tani Drenit Tahirukaj ishte në kategorinë e dytë të Zvicrës, te Chenois Geneve, ku luajti me plot sukses.

Tahirukaj me Thunin ka firmosur kontratë të vlefshme deri në vitin 2029.

“Jam i lumtur që u realizua transferimi dhe që do të garoj në Superligë me Wacker Thun. Gjatë diskutimeve, kam kuptuar shpejt se mentaliteti dhe synimet e klubit më përshtaten shumë. Jam i entuziazmuar për ekipin e ri dhe do të bëj çdo gjë për të kontribuar në një edicion të suksesshëm”, ka thënë Tahirukaj.

Në elitën e Suedisë do të garojnë Leonard Gegaj e Shaban Zogaj.

Gegaj është promovuar në “Handbollsligan” me skuadrën Lugi. Kjo skuadër dy edicione luajti në kategorinë e dytë dhe për edicionin e ardhshëm ka siguruar paraqitjen në elitën suedeze.

Gegaj ka shkëlqyer gjatë gjithë edicionit të kaluar dhe pritet të vazhdojë njëjtë edhe në Superligë.

Gegaj e ka vazhduar edhe për dy vjet kontratën me skuadrën Lugi.

Edicion të mirë në “Allsvenskan” kishte edhe Shaban Zogaj, që në kampionatin e ardhshëm do të jetë tek Amo në Superligën e Suedisë.

Më herët Zogaj siguroi kalimin tek Amo për edicionin 2026/2027. Pas tejkalimit të lëndimeve, Zogaj pret të shfaq vlerat në kampionatin cilësor suedez. /Kosova.info/

Go to TOP