Spanja nuk arrin që të fitojë kundër Kepit të Gjelbër
Kombëtarja e Kepit të Gjelbër ka shkaktuar një nga befasitë e para të Kampionatit Botëror, duke barazuar 0:0 me Spanjën në ndeshjen e parë të Grupit H.
Pavarësisht se përballë kishte kampionen e Evropës dhe një nga favoritët e turneut, skuadra afrikane ka zhvilluar një paraqitje të disiplinuar dhe heroike në mbrojtje, duke mos lejuar spanjollët ta gjenin rrugën drejt golit.
Spanja e ka kontrolluar posedimin e topit dhe ka kërkuar vazhdimisht golin, por ka hasur në një mbrojtje të organizuar mirë dhe në një formë të jashtëzakonshme të portierit Vozinha. Rasti më i mirë për spanjollët ka ardhur në fund të pjesës së parë, kur Ferran Torres e ka goditur traversën nga afërsia, ndërsa Mikel Oyarzabal nuk ka arritur ta mposhtë portierin kundërshtar në tentativën pasuese.
Edhe pjesa e dytë ka pasur të njëjtin ritëm, me Spanjën në sulm dhe Kepin e Gjelbër të vendosur në mbrojtje. Trajneri Luis de la Fuente e ka aktivizuar edhe talentin Lamine Yamal për t’i dhënë më shumë kreativitet skuadrës, por as kjo nuk ka mjaftuar për të thyer rezistencën e kundërshtarit.
Në minutat e fundit, Oyarzabal e ka pasur një tjetër mundësi të mirë, por goditja e tij është bllokuar në mënyrë vendimtare nga mbrojtësi Roberto “Pico” Lopes.
Madje, në kohën shtesë, Kepi i Gjelbër ka qenë pranë një fitore sensacionale. Diney Borges ka rrezikuar me një goditje të fortë me kokë pas një goditjeje nga këndi, por portieri Unai Simon e ka shmangur atë që do të ishte një humbje turpëruese për Spanjën.
Ky rezultat e bën edhe më interesant Grupin H, ku më vonë do të përballen Uruguai dhe Arabia Saudite.
