Sadiku: Dokumenti i ri për dialogun në qershor 2026, arsyeja e vërtetë për zgjedhje të reja?
Politologu Arbnor Sadiku ka ngritur pikëpyetje lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend duke e ndërlidhur mundësinë e zgjedhjeve të reja parlamentare me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Duke iu referuar raportimeve të mëhershme të mediave ndërkombëtare, të cilat citojnë burime diplomatike, Sadiku thekson se në qershor 2026 pritet të prezantohet një dokument i ri në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovë dhe Serbi, me synim arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.
Sipas tij, në këtë kontekst lind pyetja nëse dinamika politike e brendshme dhe diskutimet për zgjedhje të reja parlamentare lidhen më shumë me përgatitjen e skenës politike për një fazë të re të dialogut, sesa me çështjen e zgjedhjes së presidentit/es.
“A është kjo arsyeja pse Kosova mund të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare – dhe jo çështja e zgjedhjes së presidentit/es?”, shtron ai dilemën duke lënë të hapur debatin mbi motivet reale që mund të çojnë vendin drejt një procesi të ri zgjedhor.
Zhvillimet e ardhshme në skenën politike pritet të japin më shumë qartësi nëse vendi po hyn në një fazë të re politike të ndërlidhur drejtpërdrejt me procesin e dialogut. /Kosova.info/
