Rukiqi: Vetëvendosje pa parime – bën pazare për pushtet e u jep leksione morali të tjerëve

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Berat Rukiqi, ka reaguar ndaj qëndrimeve të Vetëvendosjes (VV) për marrëveshjet dhe bashkëpunimet politike të LDK-së në prag të balotazheve komunale duke e cilësuar sjelljen e VV-së si hipokrizi të moralit politik.

Në një reagim të drejtpërdrejtë, Rukiqi ka akuzuar VV-në se po vepron pa asnjë parim politik duke bërë koalicione “majtas e djathtas” vetëm për të mbajtur pushtetin.

“Shkojnë e bëjnë koalicione majtas e djathtas, pa asnjë parim, vetëm për pushtet. S’kanë lënë parti pa e lutur, publikisht e në prapaskenë. E prapë, këta që s’kanë kufi në pazare, po japin leksione morali se kush me kë mund e s’mund të bëjë koalicion,” ka shkruar Rukiqi.

Ai ironizoi gjithashtu pretendimet e VV-së se po “rritet politikisht” pavarësisht kritikave ndaj të tjerëve duke shtuar: “Ani po thonë: ‘Kështu si po silleni ju, na po rritemi.’ Nëse po rriteni, pse po ju pengojnë koalicionet e LDK-së?”

Ky reagim i Rukiqit vjen në një moment kur tensionet politike ndërmjet LDK-së dhe VV-së janë rritur, sidomos pas rreshtimeve të partive të ndryshme opozitare përkrah kandidatëve të LDK-së në garat vendimtare të balotazhit. /Kosova.info/


Go to TOP