Rukiqi: Importi i paplanifikuar prej 90 milionë eurosh do të sjellë rritje të re të çmimit të energjisë në 2026

Berat Rukiqi, anëtar kryesie i LDK-së dhe njohës i çështjeve ekonomike, ka paralajmëruar se qytetarët dhe bizneset në Kosovë përballen me një tjetër goditje të rëndë, përveç rritjes aktuale prej 15% të çmimit të energjisë elektrike.

Sipas tij, gjatë periudhës janar–mars të këtij viti, janë importuar rreth 90 milionë euro energji elektrike jashtë planifikimeve, një kosto e cila, sipas paralajmërimit të tij, do të faturohet në faturat e energjisë në prillin e vitit 2026.

Rukiqi thekson se ky import i paplanifikuar është rezultat i keqmenaxhimit brenda Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), përkatësisht për shkak të ndërprerjeve të prodhimit në Termocentralin “Kosova B” dhe remonteve që kanë tejkaluar çdo afat të përcaktuar.

“Paaftësia duhet të ndalet. Mafia energjetike duhet të ndalet. Energjia dhe çmimi i saj po shndërrohen në emergjencë kombëtare. Rritje të tilla të përvitshme janë të papërballueshme. Janë recetë e sigurt për varfëri dhe falimentim”, ka deklaruar ai.

Ky paralajmërim vjen në një kohë kur shqetësimet për qëndrueshmërinë energjetike dhe barrën ekonomike të qytetarëve janë në rritje të vazhdueshme. /Kosova.info/


Go to TOP