Rugova ka nevojë për investime

Tash e dy dekada, industria e turizmit në fshatrat e Rugovës është zhvilluar pa dy shërbimet elementare; ujin e pijshëm dhe energjinë elektrike. Për furnizimin me ujë, banorët dhe përfaqësuesit e bizneseve kanë bërë zgjidhje vetanake mjaft të kushtueshme financiarisht, ndërsa rrjeti elektrik është i shtrirë në terrene të papërshtatshme ku riparimi është shumë sfidues. Në këtë zonë mungojnë edhe shërbimet e sigurisë.

Zhvillimi i turizmit dhe kërkesat nga turistët vendor dhe ata të huaj ka bërë që fshatrave të Rugovës t’i kthehen banorët. Vetëm Boga ka rreth 200 banorë, por nuk e kanë as më të voglin shërbim institucional të sigurisë dhe shëndetësisë.

“Kemi nevojë për ambulant dhe një stacion policor, sepse po vijnë këta të huajt dhe po kanë dëshirë me qenë të sigurt dhe tash këtu ku ka qenë shkolla e kanë rregulluar për ta hapur ambulanten dhe një stacion policor sepse ne këtu jemi shumë afër kufirit. Po duhet prej këtu me shkua në Pejë, e me qenë rast i rëndë vdes pa egjel. Rasti konkret ka qenë gjatë vitit të kaluar”, tha Xhemë Demaj banor i fshatit Bogë.

Komuna e ka caktuar objektin ku pritet të vendoset një staf mjekësor dhe ai policor, por ende nuk është funksionalizuar.

Boga është edhe nën kërcënimin e rrezikut nga telat elektrik. Shumica prej tyre janë në një distancë mjaft të ulët, e shtyllat elektrike janë vendosur pranë lokaleve afariste.

“Duhet faktikisht shumë gjëra të ndryshojnë, mirëpo paraprakisht mendoj se duhet të identifikohen problemet nga kërkesat që vijnë nga vizitorët, ato janë gjërat kryesore se ne mund të diskutojmë. Kjo prrockë duhet të rregullohet, pastaj duhet të largohen shtyllat elektrike edhe pse na kanë premtuar se diçka do të bëhet por ende nuk kemi hapa konkret”, tha Ylber Rudi, përfaqësues i bizneseve.

“Po ne e dimë që në fshatrat e Rugovës është një problematik shumë e madhe ndërprerja e rrjetit elektrik, pasi që rrjeti ekzistues është në një terren mjaft të vështirë dhe nëse ndodhë ndonjë prishje atje, KEDS-i e ka të pamundur intervenimin e menjëhershëm. Ne si komunë që dy vite jemi në implementim të një projekti që e kemi në bashkëfinancim me KEDS-in që është elektrifikimi i ri në fshatrat e Rugovës, ku parashihet elektrifikimi tokësor nga Peja deri në Kuqisht dhe pastaj shpërndahet në 14 fshatrat e Rugovës”, tha Agron Nikqi, drejtor i Shërbimeve publike në Pejë.

Faza e parë e këtij projekti ka arritur shumën në 1 milion e 700 mijë euro, ku komuna e Pejës ka kontribuar me 700 mijë euro, ndërsa pjesën tjetër KEDS-i.

Go to TOP